24 janar 2015 – Titulli i këtij shkrimi mund të duket si paradoks, sepse normalisht në një vend normal nuk mund të diskriminohen kamionistët vendas në portin kryesor të vendit, për të privilegjuar të huajt. Fatkeqësisht Shqipëria nuk është vend normal. Ministria jonë e transporteve ka liçensuar në linjat detare Shqipëri-Itali gjithfarë tragetesh “pensionistë” me pronarë grekë.
Të tilla tragete, duke pasur parasysh edhe fatkeqësinë e tragetit Norman Atlantic në fund të vitit të kaluar, duhet të përfundojnë për skrap jo të transportojnë pasagjerë e automjete. Pikërisht pronarët e këtyre trageteve kanë guximin deri në pafytyrësi të ofrojnë tarifa preferenciale për kamionët me targa maqedonase duke diskriminuar kamionët shqiptarë. Normalisht pritej të privilegjoheshin kamionët me targa shqiptare, sepse të qenit vend me dalje në det si Shqipëria, ndër të tjera të krijon automatikisht privilegje të tilla. Te ne ndodh absurdi jo vetëm, që nuk privilegjohen, por “masakrohen” kamionët shqiptarë.
Trageti Bridge i European Seaways në Linjën Bari-Durrës në 20 janar 2015 për kamionët maqedonas aplikon një tarifë transporti prej 335 eurosh në një drejtim, ndërsa për kamionët me targa shqiptare aplikon tarifën prej 360 erosh. Në një udhëtim vajtje-ardhje për çdo kamion shqiptar transportuesi ynë humb fiks 50 euro. Po sjellim një shembull në qindra e qindra raste kamionët maqedonas të firmave Dauti Transport dhe Rive Sped me targa SK 958 TB apo SK 154 AC ngarkuar me Birra Peroni për tregun shqiptar në të njëjtin traget, për të njëjtin rejs paguan 335 Euro, ndërsa mjetet shqiptare me ngarkesë për firmën Conad Albania apo për firmën Royal SHPK me targa TR 5708 E dhe AA 052 GY paguan 360 euro.
Pikërisht këto tarifa diskriminuese ulin aftësinë konkurenciale të spedicionerëve shqiptarë. Më troç paratë, që duhet t’i fitojnë shqiptarët në Portin shqiptar të Durrësit i fitojnë qyl maqedonasit. Aftësitë konkuruese të firmave shqiptare dëmtohen edhe më shumë nga dy faktorë të tjerë, për të cilët është fajtore qeveria shqiptare qoftë me korrupsionin e administratës doganore, qoftë me kompleksin e inferioritetit të zyrtarëve shqiptarë përfshirë Kryeministrin Rama kundrejt homologëve të tyre europianë. Apo edhe ballkanikë.
Pikërisht, korrupsioni i doganierëve shqiptarë kryesisht në Qafë Thanë edhe në Bllatë e Gorricë në vulosjen e dizvoltave (leje speciale transporti mallrash me kamion tonazhi të madh) të mjeteve me targë maqedonase është faktori i dytë, që dëmton konkurencën e spedicionerëve dhe autotransportuesve shqiptarë. Pra edhe ky faktor bën, që paratë të “emigrojnë” në Maqedoni me rezultatin më pak fitime për sipërmarrësit shqiptarë, më pak vende pune për shoferët shqiptarë më pak të ardhura tatimore për shtetin shqiptar, por më shumë rryshfete për nëpunësit e shtetit shqiptar.
Faktori i tretë është taksa absurde dhe anakronike e vendosur në Itali, që në kohën e “qepës” për kamionët me targa shqiptare. Të paktën, që në kohën e Ministrit të transporteve Bitincka nja 20 e kusur vjet më parë, pala italiane ka premtuar se do ta heqë këtë taksë. Tashmë në janar të vitit 2015 kjo taksë “legjendare” me siguri ka për tu hequr, kur të vinë kalendat greke. Në 30 dhjetor 2014 Kryeministri i Italisë Renci në prani të homologut shqiptar premtoi që kjo taksë famëkeqe do hiqej në 10 ditëshin e parë të janarit. Kryeministri Rama madje e falenderoi homologun Renci për këtë premtim.
Jemi pothuajse më 25 Janar, taksa nuk është hequr ende. Kamionistët shqiptarë kanë të drejtë të thonë që kryeministri Renci na u shndërrua në Kryeminstrin rrenci (gënjeshtari). Kryeministri shqiptar edhe ministri i linjës Haxhinasto si “durimmëdhenj” që janë, mbeten në pritje të ardhjes së Kalendave greke, që përmendëm më sipër.
Gjejmë rastin t’i kujtojmë ministrit Haxhinasto se në rokadën e pritshme LSI-PS ( Ministrinë e arsimit e merr LSi-ja duke i dhënën PS-së në këmbim ministrinë e transporteve), ai ka shumë mundësi të mbetet pa portofol ministerial, kështu që do të ishte një akt prej xhentëllmeni e prej patrioti shqiptar, nëse trageteve karrakatina greke do tua vinte kufirin te thana. Mjafton, që grekët t’i kërcënosh me heqje liçense për tragetet e tyre 30-50 vjeçarë, që ata menjëherë të ndalojnë aplikimin e tarifave diskriminuese në kurriz të autotransportatorëve shqiptarë.
Z. Haxhinasto por edhe kryeministrit Rama u kujtojmë fatin e atyre shqiptarëve, që ndonëse përfaqësues të dyerve të mëdha, ndonëse me merita patriotike u damkosën si tradhëtarë, sepse në vitin e largët 1939 i çuan kurorën e Skënderbeut, mbretit Perandor Viktor Emanuelit III. Mbas 70 e kusur vjetësh pasardhësit e tyre të shumëvuajtur në dekadat e komunizmit përsëri duhet të vuajnë tradhëtinë e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre siç shkruante edhe ZP-ja në editorialin e saj të 29 nëntorit 2014.
Sot nuk ka më as Viktor Emanuel, as kurorë Skënderbeu, por tradhëtia kombëtare mbetet, qoftë edhe në formën e tarifave diskriminuese. E majta shqiptare ka një të kaluar plot njolla në këtë drejtim. Kujtojmë këtu kaucionet (garancitë) doganore, që aplikonte administrate doganore shqiptare për shkak të shkresave të kundërligjshme të ish-ministrit Angjeli në vitin 1999 duke diskriminuar Portin e Durrësit dhe duke privilegjuar Portin e Gumenicës.
Të tilla akte anti-shqiptare e anti-kosovare nuk duhet të përsëriten më, qoftë edhe në një formë pakëz më të kamufluar si rasti i tarifave diskriminuese që trajtuam më sipër.
Z. Haxhinasto, z. Rama tradhëtia kombëtare nuk ka brirë. Është koha të veproni,jo të shkruani hartime bajate e të bëni demogogji si në kohën e Dullës. Zotërinj veproni firmosni shkresat e nevojshme, që paratë e shqiptarëve të mbeten në Shqipëri, jo tu bëhen “peshqesh”, qyl maqedonasve!
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





