24 janar 2015 –  Ermir Kodra, presidenti i ri i Parmës bëhet në këtë mënyrë i pari president shqiptar i një klubi të Serie A e madje është njëkohësisht edhe presidenti më i ri në historinë e saj. Edhe pse do të jetë ai që do të drejtojë klubin emilian, sipas mediave italiane, pas tij fshihet manjati shqiptar i naftës Rezart Taçi.

Por kush është 29-vjeçari Ermir Kodra?

"Jam Ermir Kodra, vij nga bota e biznesit. Kam mbaruar Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe kam shtatë vjet që punoj në fushën e hidrokarbureve. Konsorciuimi Dastraso ka blerë mazhorancën e aksioneve të Parmës. Unë përfaqësoj "Dastraso Holding", që është një kompani hidrokarbure dhe hapi i parë që ne kemi bërë në fushën e sportit është këtu në Itali, por që kompania jonë do të operojë dhe në fushën e hidrokarbureve, ku është pika e saj kryesore në shtetin italian", ka rrëfyer në një intervistë numri një i Parmës. 

Gazeta kryesore lokale e Parmës zbulon edhe prapaskenat e komandimit ndërsa tregon se vendimi është bërë i ditur gjatë një darke ku kanë qenë prezentë Rezart Taçi, Ermir Kodra, administratori i deleguar Pietro Leonardi si dhe kryebashkiaku i Parmës Pizzarotti. Ermir Kodra është president i "Eventi Sportivi" duke udhëhequr si Parma FC ashtu edhe shoqërinë që e kontrollon atë.