Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, u shpreh kundër këtij Kodi Elektoral dhe marrëveshjeve të bëra nga PD-PS, sidomos për pragun elektoral.

Ai sugjeroi që ai prag të ishte 2% dhe jo 4%, pasi e bën garën edhe më të barabartë e të drejtë, teksa kritikoi PD-në për strategjinë e zgjedhur.

Duka u shpreh në një emision në “News24” se po vijojnë negociatat me opozitën për zgjedhjet e ardhshme, por ende nuk është rënë në dakordësi konkrete. Ai tha se mund të kandidonte edhe vetë për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Duka deklaroi se partia që ai drejton mund të nxjerrë kandidatët e saj në disa bashki, në rast se kandidatët e opozitës nuk arrijnë të krijojnë besim te qytetarët.

“Në Durrës mund të kandidoj. Perceptoj që kam një ndjeshmëri pozitive nga njerëzit”, u shpreh ai, ndërsa përmendi edhe Kukësin dhe Kurbinin si zona ku, sipas tij, partia ka figura të forta politike.

Duka theksoi se nuk bëhet fjalë për qëndrime personale apo ultimative ndaj opozitës, por për mbështetjen e kandidatëve që kanë integritet dhe potencial për të fituar.

“Nëse nga opozita del një njeri me integritet që jep shpresë se mund të fitohet, ne tërhiqemi dhe e mbështesim. Por nëse kandidatët dalin kot më kot, do të dalim me kandidatët tanë”, deklaroi ai.

Kreu i PAA-së shtoi se edhe në rast se nuk arrijnë fitore, kandidimi më vete do t’i shërbejë partisë për të rritur peshën elektorale.

Me nota humori, Agron Duka tha se vetëm në Durrës e sheh të mundshëm kandidimin e tij personal.

“Në qytete të tjera nuk besoj se më zgjedh njeri. Ky Kod Elektoral që kemi na detyron të bëjmë këto lloj negociatash. Mirë është që vota të mos shkojë dëm”, u shpreh kreu i PAA-së.

Dhe më tej shtoi se:

“Vetëm kështu krijohet mundësia, me garë. Nëse nuk biem dakord për kandidaturat ne do të dalim me kandidatë të pavarur, nuk kemi pse bashkëpunojmë, ne jemi Partia Agrare”.

Në lidhje me protestat e opozitës, strategjinë dhe aktualitetin politik e ekonomik në vend, Duka sugjeroi që protestat të bëheshin me revoltë qytetare dhe jo me data kalendarike.

Ai theksoi se qeveria është e mbushur me skandale korruptive dhe besimi qytetar te ajo ka rënë, edhe pse ende ka njerëz që i shkojnë pas për votën.

“Duhet gjithmonë që protestat të kenë organizim. Sepse edhe këta të tjerët me gjithë këto afera korruptive nuk mendoj se janë më të besueshëm te qytetarët. Në Shqipëri thuhet se nuk ka alternativa, por nuk është e vërtetë, ka alternativa dhe njerëz plotë. Nuk mendoj se protestat duhet të bëhen me data apo kalendarike, por kur ka revoltë qytetare”, vijoi ai.

Duka propozoi që opozita të bënte një front dhe të dilte me një kandidat të ri për kryeministër, një figurë të re, pasi gjysma e qeverisë është e përfshirë në skandale.

“Duhet organizuar një front i përbashkët, një front pune. Gjysma e qeverisë është e akuzuar për korrupsion. Opozita duhet të ofrojë një figurë të re politike për kryeministër”.

Duka u deklarua kundër edhe projektit politik për uljen e numrit të bashkive me Reformën Territoriale.