DURRËS, 24 janar 2015 –  Qendra e Shëndetit të Gruas është investimi më i fundit në spitalin rajonal Durrës. Ajo është konceptuar si një mjedis i veçantë në maternitetin e qytetit. Në të zhvillohen vizitat ambulatore me mjekët gjinekologë të spitalit. Çdo grua merr informacionin e nevojshëm pranë recepsionit në hyrje të kësaj qendre dhe përcakton orarin për ekzaminimet e nevojshme.

Në analizën vjetore, më 23 janar 2015, institucioni i Prefektit të qarkut Durrës, ka vlerësuar me nota pozitive shërbimin shëndetësor, ku, në bashkëpunim të ngushtë me aktorët vendorë si dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, janë realizuar ndryshime rrënjësore në sasinë dhe cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët.

Sipas Prefektit Rolant Xhelilaj, është fuqizuar puna parandaluese e sëmundjeshmërisë, u rrit profesionalizmi në shërbimet që i jepen publikut, u shtuan mjetet në dispozicion dhe infrastruktura për dhënien e shërbimit shëndetësor etj. Bëhet kontrolli falas për moshat 40-65 vjeç, u hap shërbimi i kujdesit paliativ në spitalin rajonal Durrës (SRD), u vunë në funksion shërbimi i kimioterapisë, laboratori citologjik, ofrohen për herë të parë disa analiza hormonale, ka përmirësime në shërbimin shëndetësor në qendrat shëndetësore etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/