23 janar 2015 – Grupi i grave deputete, nën drejtimin e kryetares Mesila Doda u mblodh dje, më 22 janar për të diskutuar rreth objektivave kryesore të punës së tyre të përbashkët, krijimin e një kuadri të brendshëm rregullues dhe iniciativat e përbashkëta që do të ndërmerren.
Ndër objektivat kryesore të Aleancës se Grave Deputete, u përcaktua rritja e pranisë së gruas në politikë dhe vendimmarrje, punësimi i tyre në institucionet qeveritare, në ndërtimin dhe forcimin e shtetit demokratik, mbrojtja e veçantë e grave kryefamiljare dhe nënave në nevojë, si dhe një vëmendje të të gjithë hallkave të shtetit shqiptar ndaj fenomenit të dhunës në familje. Duke falënderuar pjesëmarrjen e deputeteve në takim, Kryetarja e “AGD”, Mesila Doda, vlerësoi rolin e grave shqiptare të cilat çdo ditë përballen me problematika të ndryshme, të dhunës në familje, si një plagë e rëndë që shqetëson shoqërinë shqiptare, ndërkohë që vuri theksin në fuqizimin e tyre, rritjen e rolit dhe pranisë së tyre në politikë, krijimin e një pozite sociale preferenciale për gruan shqiptare, si dhe ngjizjen e një rrjeti solidar mes grave deputete në Kuvend, për të qenë zëri i atyre grave të cilat mund të kenë funksione vendimmarrëse, por edhe grave të zakonshme dhe veçanërisht atyre që kanë nevojë të ndjehen pjesë e shoqërisë sonë.
Në rrjetin social facebook, deputetja demokrate Doda u shpreh:
"Aleanca e Grave Deputete u mblodh sot në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë për të shprehur shqetësimin dhe për të bashkërenduar veprimtarinë në përballjen me dhunën gjinore e cila po rritet çdo ditë dhe që shpesh përfundon në mënyrë dramatike me humbjet e jetëve të vajzave dhe grave.
Gjej rastin të falenderoj Presidentin e Republikës që mirëpriti inisiativen e AGD-së për të mbështetur Aksionin Kombëtar në përballimin e kësaj çështje e cila duhet të konsiderohet prioritet. Përgjegjësi më e madhe nga prokuroria, gjykatat, institucionet e pavarura për trajtimin e fenomenit të dhunës. Ditët e ardhshme do të botohet edhe kalendari i nismave dhe aktiviteteve që do zhvillohen, për marrjen e masave konkrete në ndihmë të grave dhe vajzave".






