DURRËS, 23 janar 2015 – 15 shtëpi në zonën e Porto Romanos në Durrës rrezikojnë të rrëshqasin nga maja e kodrës në det si rezultat i rrëshqitjes që ka përfshirë të gjithë faqen perëndimore të kodrës, raporton gazetari i njohur Llambi Kallço për TV “Oranews” (https://www.youtube.com/watch?v=zHgyYRPsvfw).
Banorët janë të tronditur. Fenomeni i rrëshqitjes së tokës ka kohë që ka nisur, por tashmë situata ka marrë përmasa shqetësuese duke rrezikuar jo vetëm shembjen e banesave, por edhe jetën e tyre.
Kallçoja ka intervistuar banorë me theks verior, që thonë se nevojitet ndërhyrje e ngutshme, para se të ndodhë ndonjë tragjedi.
Terreni i pjerrët, përmbajtja argjilore e tokës, por edhe ndërhyrjet e paligjshme nga vetë të ardhurit, kanë rritur rrezikun nga rrëshqitjet në kodrën e Porto Romanos.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





