21 janar 2015 –  George Clooney është në gjendje që të mbyllë një gazetë për shkak se një fotografi e tij është cilësuar “e turpshme”. Por ky cilësim “turpi” është i gjithi arbitrar dhe ideologjik për gazetën iraniane “Mardome-Emruz”, pasi u publikua një fotografi e aktorit të famshëm gjatë ceremonisë së Golden Globes, teksa mbante një spilë në xhaketë ku shkruhej “Je suis Charlie”.

Por ajo që indinjoi më tepër gjyqtarët iranianë është titulli i fotgrafisë ku thuhej “Edhe ai është Charlie”. Referimi lidhur me tragjedinë e revistës franceze satirike, është cilësuar aq e pavend sa u komentua si një foto “e turpshme” dhe çështja është në gjykatë, duke rrezikuar mbylljen e gazetës. Qeveria iraniane e dënoi sulmin ndaj “Charlie Hebdo” ku humbën jetën 12 persona, por e cilësoi si të turpshme fyerjen e besimit islam, me anën e karikaturave. Clooney është aktivizuar shpesh në mbrojtje të të drejtave të njeriut, pasi edhe bashkëshortja e tij avokatja libaneze me shtetësi angleze Amal Alamuddin, është e specializuar pikërisht për të drejtat ndërkombëtare, të drejtën penale dhe të drejtat e njeriut.