Këngëtari britanik Sting ka rikthyer në vëmendje debatin mbi trashëgiminë dhe marrëdhënien e fëmijëve me pasurinë, duke u shprehur sërish kundër idesë së lënies së fondeve të mëdha pa kushte për pasardhësit.
Në një intervistë për emisionin “CBS Sunday Morning” me Mark Phillips, artisti 73-vjeçar tha se beson se t’u krijosh fëmijëve një jetë pa nevojën për të punuar mund të ketë pasoja negative në zhvillimin e tyre personal. Sipas tij, një qasje e tillë rrezikon t’u heqë atyre motivimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë.
“Mendoj se gjëja më e keqe që mund t’i bësh një fëmije është t’i thuash se nuk ka nevojë të punojë. Kjo është një formë abuzimi, shpresoj të mos jem kurrë fajtor për të,” u shpreh Sting.
Ai konfirmoi gjithashtu se nuk planifikon të krijojë trust fund-e të mëdha për gjashtë fëmijët e tij, duke theksuar se pasuria e tij nuk duhet të kthehet në një “garanci jetese” pa përpjekje personale. Sipas tij, roli i prindit është të ofrojë edukim dhe mbështetje bazike, jo një jetë të siguruar financiarisht pa punë.
“Po i shpenzoj paratë tona. Po ju paguaj shkollimin. Keni gjithçka që ju nevojitet. Tani shkoni në punë,” është mesazhi që ai thotë se ua përsërit fëmijëve.
Sting shtoi se dëshiron që ata të ndërtojnë vetë rrugën e tyre dhe të përjetojnë sfidat e suksesit, pa u mbështetur te emri apo pasuria e tij. Ai ka gjashtë fëmijë dhe ka mbajtur të njëjtin qëndrim për këtë çështje në disa intervista ndër vite, duke e cilësuar pavarësinë si vlerën më të rëndësishme për ta.





