20 janar 2015 – Dy hajdutë shqiptarë, përkatësisht 19 dhe 24 vjeçarë, banues në qytetin e Ternit dhe Romës u arrestuan të hënën në darkë nga policia "me presh në dorë".
Dy hajdutët shqiptarë, ndonëse në moshë mjaft të re kishin precedentë penalë për vjedhje e grabitje. Megjithë përvojën e mjaftueshme në ‘zanatin” e vjedhjes, dy shqiptarëve u shkoi ters. Pikërisht banesa që kishin si synim ta vidhnin, nuk ishte bosh, sepse i zoti i shtëpisë nuk ishte larguar siç e kishin parashikuar ata.
Ndërsa dy hajdutët po shpërthenin derën e ballkonit, një fuoristradë i ndriçoi me dritat e gjata. U dha alarmi, si nga fqinjët ashtu edhe nga të zotët e shtëpisë. Autopatrulla e policisë mbërriti shumë shpejt duke i bllokuar hajdutët shqiptarë, vetëm pak metra larg banesës që ata u përpoqën të vidhnin. Policia italiane, ndërsa nuk jep emrat e dy shqiptarëve të arrestuar, ka bërë publike fotot e tyre në momentin e arrestimit.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





