DURRËS, 20 janar 2015 – Të diplomuarit në degën ekspertë të procesit të informimit, në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) i kërkojnë Ministrisë së Arsimit e Sportit (MAS) të argumentojë përse administrata shtetërore nuk u njeh diplomat, kur paraqiten për të kërkuar punë. Sipas të rinjve, personat përgjegjës në institucione të ndryshme shtetërore i kanë përcjellë me pretendimin se diplomat e tyre janë të pavlefshme. Në këtë rast janë 800 ish-studentë që penalizohen edhe nëse kanë diplomë të nivelit të parë apo master. Ky program vijon të jetë i hapur dhe në këtë vit akademik me rreth 100 studentë të rinj. Ata thonë se prej 4 muajsh nuk kanë marrë asnjë përgjigje
Shumë të diplomuar në këtë degë u paraqitën të hënën, më 19 janar 2015, përpara ndërtesës dhe hynë në mjediset e brendshme të dikasterit, ku janë pritur nga sekretari i përgjithshëm i MAS-it Plarent Ndreca, i cili tha se ministria do të ketë një qëndrim zyrtar pas disa ditësh.
Ndreca u ka pohuar të rinjve se diplomat janë të vlefshme dhe se është e pamundur të mos u jenë njohur qoftë nga sektori publik apo ai privat.
Ndërkohë ish-studentët pretendojnë se, pavarësisht se janë pjesë e fakultetit të edukimit dhe mbarojnë të njëjtat programe si mësuesit, nuk kanë të drejtë as të japin provimin e shtetit dhe as të japin mësim. Të diplomuarit thanë se janë të gatshëm t’i nënshtrohen provimit të shtetit, për t’u licencuar, prandaj edhe i kërkojnë MAS-it që profesioni i tyre të jetë pjesë e atyre të rregulluara me ligj.
Ministria e Arsimit shpjegon se pretendimi i studentëve nuk qëndron, sepse program i tyre është i licencuar dhe i njohur nga ministria.
MAS-i thotë gjithashtu se studentët u pritën në takim nga sekretari i Përgjithshëm Plarent Ndreca dhe se ministra do të ketë një qëndrim zyrtar pas disa ditëve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





