• Ngushtojnë “hendekun” klinkeri, llamarinat, prokatet dhe kromi 

DURRËS, 20 janar 2015 –  Nëse nuk do të kishte kaq diferenca të “frikshme” në përpunimin e mineralit të hekur-nikelit dhe të mallrave me kontejnerë në vitin 2014, eksporti nëpërmjet portit të Durrësit në periudhën njëvjeçare nuk do të ishte me minus në krahasim me atë paraardhëse.

Sipas statistikave zyrtare të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës, në vitin 2014 u realizua një vëllim prej 1 606 155 mallrash për eksport, por 59 684 tonë më pak se vitin 2013. “Hendeku” do të ishte më i madh nëse nuk do të ishin eksportuar 235 471 tonë klinker nga 15 306 tonë në vitin 2013, ose 220 165 tonë më tepër (mbi 15 herë!). Gjithsesi, shifër mbresëlënëse ka e dhe Metalurgjiku i Elbasanit, ku “Kurum”-i turk ka kontribuar në vitin 2014 me eksportin e 132 495 tonë llamarina dhe prokate nga 97 447 tonë në vitin 2013, me një rritje prej 35 049 tonë. Ka ndihmuar për mirë minerali i kromit me  90 438 tonë nga 58 475 tonë një vit më parë, koncentrati i kromit dhe ferro-kromi, ndonëse me shifra modeste. 

Ndikim negativ në eksport ka dhënë minerali i hekur-nikelit: drejt konsumatorëve të këtij xeherori deri më 31 dhjetor 2014 u nisën vetëm 54 486 tonë nga 184 778 tonë një vit më parë, ose 130 292 tonë më pak (mbi 3,3 herë!). Po ashtu edhe terminali i kontejnerëve ka përpunuar për eksport 528 190 tonë nga 744 640 tonë një vit më parë me një diferencë prej 216 450 tonë më pak (shih poshtë tabelën, mirësjellje e APD-së).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/