DURRËS, 19 janar 2015 – Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë po krijon vështirësi për përpunimin e anijeve në portin e Durrësit.
Paraditen e së hënës, më 19 janar 2015, ka nisur të përpunohet normalisht vetëm anija me 400 kontejnerë “MSC Jilhan”, e cila është bregëzuar të dielën në kalatën 6. Anijet “Mustafa Bey” dhe “Geros” me 5 189 tonë xhama gjithsej janë bregëzuar në kalatat 1 dhe 2 dhe, sipas dispeçerisë, përpunimi i tyre do të vijojë në varësi të kushteve të motit. Ndërkaq gjiganti, ndërtim i vitit 2012, tashmë transportues linje nga Durrësi, “Sider Luck”, që do të ngarkohet në kalatën 11 me një sasi prej 20 500 tonë klinker gjithsej, e ka ndërprerë procesin e përpunimit.
Gjatë fundjavës ka përfunduar në kalatën 5 ngarkimi i anijes “Mansour M” me 5 mijë tonë çimento me paleta. Po në fundjavë nga anija “Frojdi II” janë shkarkuar 1 380 tonë grurë dhe sojë, ndërsa në kalatën 10 nga anija “Solka 2” janë shkarkuar 3 300 tonë skrap.
Në radë presin radhën e përpunimit dy anije me 144 kontejnerë gjithsej, si dhe një anije tjetër me 1 694 tonë sojë me paleta dhe rinfuso. Pritet të mbërrijnë një anije me 5 300 tonë grurë dhe një tjetër me 4 421 tonë çimento me paleta.
Por një mot i tillë i paqëndrueshëm dhe me shira parashikohet të vazhdojë gjatë gjithë javës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”, kontribuoi g. k./





