DURRËS, 18 janar 2015 –  Në një shkrim të mëparshëm, po në agjencinë e lajmeve “Dyrrah”, ngrinim problemin e mungesës së mbikëqyrjes doganore, madje edhe formale me prezencën fizike të doganierëve në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit. Në artikullin tonë theksonim faktin që as policia dhe as dogana nuk kanë prezencë të përhershme në portën dalëse të këtij terminali.

Dyshimet tona për kontrabandë me mallra sidomos mallra, që paguajnë akcizë, dhe me drogë apo armë mbeteshin dyshime të arsyeshme, por gjithsesi të pambështetura në prova. Sot ne kemi të drejtë të thërrasim me zë të lartë “Bingo”. Në deklarimet zyrtare të prokurorisë shqiptare, por edhe të kolegëve gjermanë, theksohet fakti se kokaina e Xibrakës në disa raste është “eksportuar” nga Shqipëria nëpërmjet Terminalit Lindor, në kontejnerët e ngarkuar me minerale. Historia sesi mineralet (krom e hekur-nikel) ngarkohen në këta kontejnerë, pa asnjë mbikëqyrje qoftë edhe formale nga ana e doganës, është një histori tipike shqiptare, sesi kontrabandës i mbyllen shtigjet e i hapen autostradat. Tashmë dyshimi ynë është provuar, madje gjermanët shprehen se është përdorur Terminali Lindor për këtë trafik kokaine drejt Gjermanisë, sepse në këtë terminal kontrollet ishin fare të pakta.

Për doganat shqiptare pësimi nuk është bërë mësim. Thjesht vazhdojnë paradat e sukseseve me frazeologji alla Gebels me realizime e tejkalime plani të të ardhurave apo me falënderime për euro-atlantikët, që na japin falas trajnime me trajnerë polakë për doganierët tanë apo pajisje si p.sh. kamerat termike për pikat doganore, që në të shumtën e rastit janë të tejkaluara (trajnime të tipit “rakia e rrushit bëhet nga rrushi”) apo kamera termike të papërdorshme, të panevojshme, madje të paprojektuara nga prodhuesi për t’u përdorur në PKKK, ku gjenden të vendosura ndërtesat e zyrave doganore dhe punojnë e ushtrojnë kontrolle doganierët.

Avazit të sukseseve të pafund të doganave shqiptare i mbajnë iso edhe “trimoshat”, “picotët’ e super-paguar të  Kraun Ejxhënts-it  (Crown Agents)-it britanik. Personeli polak, lituan, estonez, madje, edhe anglez, i britanikes  Kraun Ejxhënts  nuk lë trastë a bagazh makine emigranti pa gërmuar duke i detyruar gjynahqarët të zhdoganojnë edhe 30 palë çorape (efekti doganor jo më shumë se 7-8 stërlina) edhe 5 shishe verë edhe një ekspres kafeje të përdoruar apo 5-6 goma të përdorura, të cilat jo vetëm na shkaktojnë gropë në buxhet por edhe na ndotin mjedisin shqiptar të virgjër sa matronat e bordellove. Çuditërisht, këshilltarët e  Kraun Ejxhëns-it nuk shikojnë derën e pambikëqyrur me doganierë të Terminalit Lindor. Nuk shikojnë as cisternën me karburante shkarkuar në radën e Porti të Durrësit me transbordim. Nuk shikojnë as cisternat me karburante kontrabandë shkarkuar në Vlorë me tubacione (pipe-lines). Shkurt, puna të shtrenjtë në krunde e dorëshpuar në miell.

Siç kemi provuar me dokumente amerikane (vendime gjyqi të Gjykatës së Nju Jorkut), pronari i koncesionit të Terminalit Lindor në Portin e Durrësit është një shtetas gjerman i arrestuar për trafik ndërkombëtar armësh luftarake nga gjykata amerikane vite më parë. Mjafton ky fakt i bërë publik, që në doganat e  Arnautistanit të bjerë alarmi në sistemin aq shumë të reklamuar të analizës së riskut. Fatkeqësisht, “Doktoreshë Gjilpërës” së shekullit XXI nuk i funksionon ky sistem, kur bëhet fjalë për cisterna, kafe, cigare, kokainë, armë zjarri, municione etj. etj.

Njëlloj si në rastin e anijes ruse “Loyga”, që, për dhjetëra ditë me radhë, “shullëhente në diell” në radën e Durrësit para se të vazhdonte itinerarin e zakonshëm Derna-Durrës, Misurata-Durrës, veç mund të shkruajmë:

Pastaj mos na thoni, që nuk ju kemi paralajmëruar. Terminali Lindor është kthyer në një vrimë të zezë për të mbaruar punë të zeza. Duhet mbyllur ajo portë nga dolën kontejnerët e ngarkuar me mineral dhe kokainë Xibrake. Duhet mbyllur me patjetër, sepse siç ka ndodhur deri tani, kur kalon derri e dosa, rinoqeronti dhe elefanti, nuk është çudi, që ndonjë ditë të kalojë edhe ndonjë ngarkesë speciale me peshë të vogël e me zarar të madh ardhur nga Tiraspoli i Republikës Ruse të Transdniestrit. Në kaloftë një ngarkesë e tillë brimën e zezë të Terminalit Lindor, me hir a me pahir,  willy-nilly, siç thotë anglezi, do ta mbyllë qeveria post-Rama.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/