6 janar 2015 – Luiza Gjonaj, specialisja e prokurimit në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, të drejtuar nga Erion Veliaj, është shkarkuar nga puna, afro 2 javë pasi i dërgoi një letër kryeministrit, në të cilën denonconte një aferë korruptive në këtë ministri. Lajmin e dha sot Partia Demokratike që publikoi edhe vendimin e shkarkimit (sipër në foto). Në mesin e dhjetorit, Luiza Gjonaj iu drejtua kryeministrit duke e vënë në dijeni se ishte shantazuar nga drejtoresha e Agjensisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ina Verzivolli, firmosur një procedurë tenderimi. Specialistja e kishte refuzuar duke thënë se ishte e paligjshme. Por Ina Verzivolli kishte insistuar dhe e kishte kërcënuar me largim nga puna nëse nuk do të firmoste për tenderin. Paratë, sipas opozitës që e denoncoi këtë skandal, do të shkonte për kompaninë EAG Communication, që fitoi edhe afro 400 milionë lekë për dekorimin e Tiranës për vizitën e Papa Franceskut. Pas kësaj kompanie thotë se fshihet ministri Erion Veliaj dhe për këtë ka publikuar edhe disa fakte.
Specialistja Gjonaj, në letrën drejtuar kryeministrit e vinte atë në dijeni për atë se çfarë ndodhte me paranë publike në Ministrinë e Erion Veliajt.
“Rëndësi ka të marrim lekët nga donatori, për të tjerat i zgjidh unë, pasi një shoku im ka një agjensi reklamash që i bën për një ditë”, shkruan ajo në letër, duke cituar Ina Verzivollin, drejtoreshën e Erion Veliajt.
Pasi i tregon kryeministrit se çfarë bëhej për të shmangur rregullat e tenderimit, sesi u bëhej presion punonjësve, Luiza Gjoni pranon: “nën presion të fortë psikologjik, unë pranova të firmos”. Ajo priti më kot të marrë përgjigje nga kryeministri apo marrjen e masave prej tij për personat e denoncuar. Në vend të kësaj ajo mori vendimin e shkarkimit nga puna.
/lapsi.al/





