DURRËS, 6 janar 2015 – Një ceremoni fetare e krishterë shndërrohet edhe në një atraksion apo spektakël për qytetarë të feve të ndryshme, sikurse ndodh çdo vit, më 6 janar, me festën që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar”.
6 janari përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë. E Kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsakë është një prej të kremteve më të mëdha të kishës.
Pas meshës së Epifanisë të zhvilluar në Kishën e Shën Astit dhe Shën Pavlit, qindra besimtarë ortodoksë iu drejtuan portit detar të Durrësit për të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit të drejtuar nga At Nikolla.
Në ceremoninë e shenjtërimit simbolik të ujërave, që përcjell mesazhin e shpëtimit dhe të domosdoshmërisë së pagëzimit për çdo besimtar, marrin pjesë dhe qytetarë e besimtarë të feve të tjera, dëshmi e tolerancës dhe bashkëjetesës së vazhdueshme fetare. Ceremonia u krye në sheshin para kalatës nr. 4 të portit, në të cilën kanë qëndruar në pritje 4 të rinj në garë për të kapur kryqin e drunjtë. Megjithëse në një ditë mjaft të ftohtë (temperatura e ajrit 4 gradë celsius, shpejtësi ere 22 km/orë), katër të rinjtë janë hedhur në ujin e detit për të pritur hedhjen e kryqit, ceremoni e cila është drejtuar nga Hirësi Nikolla, peshkop i Apolonisë.
Kryqi, simboli i kësaj dite u kap nga 22-vjeçari, studenti i Teologjisë, Adion Gjoni. Ai merr me vete bekimet e kësaj dite të veçantë, që përkon me ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan.
Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët kanë marrë me vete bekimin për këtë dite të shënuar, ndërsa në mënyrë simbolike me Ujin e Bekuar lagin mjedise të ndryshme të shtëpive të tyre për të pasur mbarësi.
/ red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuuan a. k., d. a., m. b./





