• Policia ka arrestuar personin në moshë që shfaqet në videon e regjistruar në ambjentet e Urgjencës së QSUT.

04 janar 2015 –   Ai është një “sekser funeralesh” një tip profesioni pak i njohur në publik por mjaft i njohur në ambjentet e QSUT-së.

Këta janë persona të cilët “gjuajnë” raste vdekjesh në spitale dhe hyjnë në kontakt të parët me familjarët e shokuar për t’ju siguruar atyre agjensi funeralesh në kohë sa më të shpejtë.

I arrestuari ka pranuar që ka qenë kur është filmuar videoja, por ka thënë se nuk i njihte tre të rinjtë e përfshirë.

Sipas dëshmisë së tij dy djemtë dhe vajza që shfaqet në video kanë mbërritur në Urgjencë bashkë në orë të vonë pas mesnate.

Vajza ka qenë pa ndjenja dhe kjo ka qenë arsyeja që ai është afruar duke e menduar si rast të mundshëm humbje jete.

Burri ka deklaruar në polici se videon e ka regjistruar një nga të rinjtë që solli vajzën dhe që nuk ka patur penetrim por vetëm molestim seksual.

Policia është në gjurmët e të rinjvte të përfshirë në filmim dhe pritet që ata të arrestohen shumë shpejt.

Vetë burri në moshë që shfaqet në video ka kaluar nga gjendja e shoqërimit në atë të arrestit policor dhe ndaj tij do ngrihen akuza pasi të verifikohet plotësisht mosha dhe gjendja e vajzës.

Policia ka kërkuar ndihmën e medias që të ruajnë identitetin e vajzës që pritet të dalë gjatë hetimeve.

Janë sekuestruar ndërkohë regjistrat e Urgjencës spitalore të natës kur sipas dëshmisë së të arrestuarit ka ndodhur ngjarja.

Pasoja ligjore priten edhe për mjekun roje dhe personelin në detyrë atë natë në urgjencën e QSUT.