Policia e Durrësit ka reaguar për rastin në Arapaj ku prej kohësh janë raportuar konflikte të përsëritura mes disa familjeve në zonë, të shoqëruara me përplasje verbale dhe fizike, si dhe shqetësime të vazhdueshme nga banorët.

Në reagimin zyrtar, bëhet me dije se strukturat e Policisë së Durrësit kanë administruar dhe referuar në Prokurori 8 raste të ndryshme penale, të cilat lidhen me persona të përfshirë në këto konflikte, për vepra të tilla si kanosje, dëmtime me dashje, vetëgjyqësi dhe shkatërrim prone, në periudha të ndryshme kohore.

Sipas policisë, të gjitha rastet janë trajtuar konform procedurave ligjore dhe janë ndjekur në organin e akuzës përkatësisht.

Njoftimi i plotë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me disa postime në portalin “JOQ”, sipas të cilave shërbimet e Policisë së Durrësit nuk kanë përmbushur detyrat funksionale ndaj veprimeve/sjelljeve të paligjshme që pretendohet të jenë kryer në fshatin Arapaj, nga shtetasi A. B. dhe familjarë të tij, sqarojmë se:

Policia e Durrësit ka administruar dhe trajtuar konform procedurave ligjore, 8 raste të veprave penale të ndryshme në të cilat ka qenë i përfshirë shtetasi A. B. dhe shtetas të lidhur me të. Konkretisht:

-më datë 31.05.2023, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për shtetasin A. B., 24 vjeç, banues në fshatin Arapaj, pasi dyshohet se ka shqetësuar nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike, shtetasin R. Ç., 45 vjeç;

-më datë 07.09.2024, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për shtetasit N. M., 58 vjeç dhe V. B., 58 vjeç (babai i shtetasit A. B.), pasi dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, kanë goditur me grushte, njëri-tjetrin;

-më datë 15.10.2024, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, për shtetasin N. M., 58 vjeç, banues në fshatin Arapaj, pasi dyshohet se ka prerë me mjet pune (kosore), kabllon e furnizimit me energji elektrike të banesës së shtetasit V. B.;

-më datë 28.01.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit V. B., 58 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, babë e bir, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur shtetasin K. E., 52 vjeç;

-më datë 23.07.2025, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për shtetasen M. O., 42 vjeçe, banuese në fshatin Arapaj, pasi ka kallëzuar shtetasja S. B., 20 vjeçe (motra e shtetasit A. B.), se 42-vjeçarja e kishte dhunuar, për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre;

-më datë 16.03.2026, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, për shtetasin H. M., 72 vjeç, banues në fshatin Arapaj, pasi ka kallëzuar shtetasi A. B., se 72-vjeçari i kishte dëmtuar automjetin, me lopatë, pas konfliktit verbal ndërmjet tyre, për lirimin e një rruge në fshat, të cilën shtetasi A. B. pretendoi se e kishte bllokuar shtetasi H. M., duke hedhur inerte dhe duke vënë mjete pune (karrocë dore);

-më datë 25.04.2026, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasen S. B., 20 vjeçe, pasi dyshohet se gjatë një konflikti, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, në ballë, shtetasen A. O., 31 vjeç, banuese në fshatin Arapaj;

-më datë 06.05.2026, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, për shtetasit A. B., 24 vjeç dhe F. O., 43 vjeç, të cilët për shkak të një konflikti të mëparshëm, kanë përplasur qëllimisht, automjetet që drejtonin. Automjetet u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Përsa i përket pretendimeve mbi shtetasen S. B., e cila ishte duke kryer programin e praktikës profesionale në DVP Durrës, informojmë se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të kryejë hetim të plotë për sqarimin e këtyre pretendimeve dhe rrethanave të tjera që përfshijnë këtë shtetase.

Policia e Durrësit garanton qytetarët se është e angazhuar dhe e vendosur për të trajtuar shpejt, me paanësi dhe profesionalizëm, çdo njoftim për paligjshmëri apo cenim të të drejtave të tyre.