03 janar 2015 – Stadiumi i Mitrovicës, "Riza Lushta" është përfshirë nga flakët në orët e para të kësaj të shtune. Zjarri që ka rënë në stadiumin e skuadrës së Trepca 89 ka djegur një pjesë të mirë të lozhave të tribunës qendrore dhe të çatisë së impiantit. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 08:35 të kësaj të shtune dhe është nevojitur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për shuarjen e tij.
Për mediat kosovare, sekretari i klubit të Trepca 89, Selë Morina është shprehur se dhomat e zhveshjes nuk janë prekur nga zjarri ndërsa komandanti i policisë rajonale të Mitrovicës, Ahmet Gjosha ka bërë të ditur për Kosovapress se flakët kanë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk ka të lënduar, por pa bërë të ditur se cilat kanë qenë shkaqet që kanë shkaktuar zjarrin. Dhe në të kaluarën është tentuar disa herë për t'i vënë zjarrin këtij impianti, por gjithçka ka mundur të parandalohet nga forcat e rendit.





