31 dhjetor 2014 – Me hapjen e merkatos priten lëvizje në radhët e skuadrës së Teutës. Në fakt, lëvizjet e para kanë nisur me largimin nga skuadra të mesfushorit shkodran Bardulla, i cili u rikthye në vendlindjen e tij dhe do të vazhdojë karrierën me skuadrën ku u promovua, ndërsa priten edhe afrimet e para. Krahas tre goditjeve të madha, të cilat, sipas presidentit Hasanbelliu, do të jenë përforcime për skuadrën, pritet që "djemve të detit" t'u bashkohen edhe ish-lojtarë të dalë nga ekipet zinxhire të Teutës që më herët kanë qenë pjesë e saj.
Drejtuesit e skuadrës po punojnë intesivisht në drejtim të përzgjedhjeve të lojtarëve që do t'i bashkohen skuadrës, e cila do t'u rikthehet ambjenteve sportive për ta vazhduar përgatitjet vetëm në datën pesë janar kur nis faza përgatitore që do të kryhet në Antalia të Turqisë, një tjetër stimulim ky për skuadrën dhe lojtarët që do t’i bashkohen asaj gjatë merkatos së dimrit. Pritet që në përgatitoren që do të zhvillojnë në tokën turke, skuadra të jetë e kompletuar me përforcimet e kërkuara. Duke qenë se faza përgatitore është e rëndësishme për skuadrat, drejtuesit do ta zhvendosin ekipin në Turqi, ku kushtet janë edhe më të mira. Një emër që mund të afrohet në janar, me të cilin drejtuesit janë në bisedime, është mbrojtësi Shaqir Stafa. Ky i fundit ka luajtur edhe më përpara me Teutën dhe duket se do t’i bashkohet “djemve të detit” në merkaton e dimrit.





