29 dhjetor 2014 – Elhaida Dani është fituesja e Festivalit të Këngës në RTSH me këngën “Diell”, me muzikë të Aldo Shllakut dhe tekst të Viola Trebickës dhe Sokol Marsit. Duke u vlerësuar me 82 pikë, juria e festivalit e përzgjodhi si këngën fituese për të prezantuar Shqipërinë në Festivalin Europian. Edicioni i 53-të i Festivalit në RTSH u mbyll mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve.
Juria e cila përbëhej nga kryetar Agim Doçi, David Tukiçi, Fatos Baxhaku, Alida Hisku, Genc Dashi, Rona Nishliu dhe Evi Reçi, vlerësuan në vend të dytë Bojken Lakon, me këngën “Të ndiej”. Në vend të tretë kënga “S’të fal” e Linda Halimit. Gjergj Leka mori çmimin e interpretimit me këngën “Himn”, ndërsa kënga "Bajram” e “Offchestra” mori çmimin e jurisë Pop.





