Një minoren i moshës 17 vjeç është vënë në prangat e policisë së Tiranës pasi shantazhonte një grua 38-vjeçare me publikimin e fotove dhe videove intime. Në kërkim është shpallur një 21-vjeçar, që bashkëpunoi me të miturin.

Policia thotë se dy të rinjtë i kanë kërkuar 38-vjçares 500 euro për të mos u publikuar video intime. Gruaja ka bërë kallëzim në polici, ku më pas i mituri u vu në pranga ndërsa personi tjetër u shpall në kërkim.

Njoftimi i policise:

I morën para një shtetaseje, që të mos i publikonin foto dhe video intime, vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen 500 euro dhe 2 celularë.

Menjëherë pas kallëzimit nga një 38-vjeçare, se dy shtetas e kishin kanosur për t’iu dhënë 500 euro, që të mos i publikonin në rrjete sociale, foto dhe video intime të saj, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Privacy”, si rezultat i të cilit:

-u vu në pranga një 17-vjeçar dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi E. D., 21 vjeç.

Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, i cili nga hetimet dyshohet si autor i vjedhjeve në disa subjekte në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave që i është marrë 38-vjeçares (500 euro) dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.