29 dhjetor 2014 –  Presidenti i UEFA-s, Michel Platini nuk heq dorë nga ideja e tij për të aplikuar në futbollin europian dhe atë Botëror kartonin e bardhë. Në mbledhjet e fundit të këshillit administrativ të UEFA-s është diskutuar pikërisht për këtë hipotezë të re të cilën numri 1 i qeverisë së futbollit europian këmbëngul ta aplikojë në sportin më të dashur nga njerëzit. Kartoni i bardhë do t'u shërbente arbitrave për të përjashtur një futbollist për disa minuta nga fusha e lojës në një moment që ky i fundit proteston ndaj vendimit të kryesorit për një episod të caktuar. Në një intervistë të dhënë së fundmi francezi i qëndroi edhe njëherë tjetër besnik idesë së propozuar nga vetë ai. "Kartoni i bardhë është një iniciativë e re e lidhur me sjelljen e futbollistëve në fushën e lojës ndaj arbitrit.

Simulimet, protestat apo edhe sjellët jo korrekte të lojtarëve mund të dënohen shumë mirë nga kryesori me një karton të bardhë.Kartoni i verdhë mund të ekzistojë gjithashtu por unë jam i bindur se arbitrit do t'i nevojitej një tjetër karton. Për mendimin tim kartoni i bardhë do t'i shërbente gjyqtarit për të përjashtuar një futbollist nga fusha e lojës për 5 ose dhe 10 minuta nëse ky i fundit thyen një nga rregullat e mësipërme.

Unë besoj se një iniciativë e tillë do t'i bënte shumë mirë sportit të futbollit nëse realizohet. Me një karton të bardhë nuk do të kishte më përjashtime përfundimtare nga fusha e lojës, besoj se edhe futbolli duhet të marrë dicka nga sporte të tjera si hockey në akull apo rugby", është shprehur Platini. Presidenti i UEFA-s shtoi gjithashtu se edhe disa rregulla të tjera në futboll kanë nevojë për ndryshime. Sipas tij pozicioni jashtë loje është një rregull që shqetëson jo pak në futboll pasi nuk arrihet të dallohet qartësisht nga arbitrat në të gjitha rastet dhe për të evituar diçka të tillë sipas Platinisë duhet të ekzistojë moviola në fushë.