29 dhjetor 2014 –  Shkëlzen Laçi, 29 vjeç, banues në Durrës u dëmshpërblye me 7 500 euro me vendmi të gjykatës italiane, sepse gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet italiane, atij i ishin shkelur të drejtat njerëzore.

Shkëlzeni kishte kryer 941 ditë burg në Itali. Gjatë kryerjes së dënimit në burgjet e Padovës, Leçes, Tranit si edhe në Burgun Borgo San Nicola, Shkëlzeni kishte qëndruar në qeli të mbipopulluara.

Normat evropiane i ndalojnë shtetet anëtare, që t’i mbajnë të burgosurit në hapësira më të vogla se 3 metra katror, në mënyrë që të mbrohen të drejtat njerëzore të të burgosurve. Shkëlzenit në çdo burg, që ka vuajtur dënimin i është shkelur kjo e drejtë.

Pikërsiht për shkeljen e kësaj të drejte, gjykata italiane vendosi ta dëmshpërblejë bashkatdhetarin tonë me 7 500 euro. Në prag të Vitit të Ri, një shpërblim i tillë duket me të vërtetë si dhuratë e Babagjyshit të Vitit të Ri.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/