DURRËS, 28 dhjetor 2014 – Zjarri në tragetin “Norman Atlantic”, me ndërtim flamur italian, i çateruar nga kompania greke “ANEK-LINES”, që ka edhe dy tragete në linjën Durrës-Bari, për pak sa do t’i hapte telashe qytetit të Durrësit, nëse anija do të rimorkiohej e do të sillej në port.
SOS
Gjatë orëve të para të ditës së dielës, 28 dhjetor 2014, autoritetet shqiptare kanë marrë kërkesën për ndihmë nga autoritetet greke dhe italiane për një zjarr të rënë në bordin e tragetit "Norman Atlantic".
Pala shqiptare është përgjigjur menjëherë duke u përfshirë në operacionin e iniciuar nga autoritetet greke dhe italiane, tha Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme.
Trageti me 478 persona në bord, 22 prej të cilëve shqiptare, u nis nga Gumenica e Greqisë me destinacion Ankonën në Itali dha alarmin SOS rreth orës 04:30 të mëngjesit kur në katet e poshtme të anijes, në garazh u përhapën me shpejtësi flakët e zjarrit, për shkaqe ende të papërcaktuara.
OPERACIONI
Rreth orës 18:30 trageti është bllokuar nga tre rimorkiatorë, ndërsa shpëtimi i jetëve që ndodhen ende në bord do të mundësohet vetëm përmes helikopterëve, pasi dallgët e mëdha që arrijnë deri në 8 ballë e bëjnë të pamundur operacionin përmes anijeve të shpëtimit. Vetëm kur të gjithë pjesëtarët në bord të jenë shpëtuar 8 maksimumi 5 e nga 5 me helikopter, atëherë trageti do të tërhiqet me rimorkiator për t’iu drejtuar më tej Brindisit në Itali.
Për shpëtimin e pjesëtarëve në bordin e tragetit janë përfshirë 8 anije, mes tyre edhe “Butrinti” nga Shqipëria, 11 helikopterë shpëtimi të ushtrisë greke, por edhe një avion “C-130” për mbështetje kërkim-shpëtimi.
422 prej tyre janë pasagjerë, mes tyre gra e fëmijë dhe 56 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa trageti mbante edhe 222 automjete.
22 SHQIPTARË, POR MUND TË JENË MË SHUMË
MPJ-ja thotë se në traget ndodhen edhe 22 shtetas me pasaportë shqiptare, por numri mund të jetë edhe më i lartë si rezultat i mbajtjes së dyshtetësisë. Sipas autoriteteve greke, janë keta shtetas shqiptare: K.Zhuri, P.Zhuri, A.Zhuri, A.Skendaj, J.Qerama, X.Parangoni, L.Ndreu, R.Mane, S.Kolekaj, B.Kazo,V.Kane, G.Gega, F Cuci, H Cuci, Riza Cela, Leopard Beqiraj, Enkelejda Beqiraj, Aleksander Beqiraj, R.Aliko, D.Aliko, S.Aliko, H.Cukja, S.Qendro, A.Pashaj, D.Sejko.
Pas marrjes së këtij informacioni, me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, janë urdhëruar ambasada shqiptare në Athinë dhe konsullata në Janinë që të ndjekin pranë autoriteteve greke operacionin e shpëtimit. Autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke dhe italiane për të mundësuar dhënien e ndihmës për pasagjerët e ndodhur në bord.
Autoritetet shqiptare do të informojnë në vazhdim opinionin publik për ecurinë e operacionit.
PËRBALLË VLORËS
Sipas të dhënave më të fundit, Kryeministria thotë anija greke "Norman Atlantic" gjendet rreth 12 milje në veriperëndim të ishullit të Sazanit, në kufirin e ujërave territoriale shqiptare.
Deri në orën 18:00, kanë mundur të shpëtojnë rreth 146 pasagjerë, por fatkeqësisht numri i personave që gjenden ende në bord të anijes është mbi 300.
Kushtet e motit janë ekstremisht të vështira, çka e bën të pamundur tërheqjen e anijes me rimorkiator.
Aktualisht, forcat detare dhe ajrore shqiptare janë në gatishmëri maksimale. Anija luftarake “Butrinti” ndodhet nga mëngjesi pranë anijes në avari dhe ekuipazhi shqiptar është pjesë aktive e operacionit të shpëtimit. Anijet luftarake “Iliria” dhe “Lisus” janë në gatishmëri në portin e Durrësit dhe mund të bëhen pjesë e operacionit në çdo moment që do ta kërkoj flota detare italiane, që po koordinon operacionin.
4 DIKASTERE
Ekspertët shqiptarë, italianë dhe grekë janë të mendimit se drejtimi i erës dhe valëzimit mund të sjellin nevojën që anija greke të ankorohet në një nga portet shqiptare. Pikërisht prandaj, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve dhe Ministria e Jashtme kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën.
Ministria e Punëve të Brendshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar shërbimet e policisë kufitare e migracionit në portet e Vlorës dhe , duke i mbështetur ato edhe me efektiva shtesë nga Policia e Rendit. Është udhëzuar personeli i Pikave të Kalimit Kufitar për procedurën emergjente që duhet të ndiqet për të lehtësuar zbritjen e pasagjerëve nga trageti dhe dhënien e ndihmës së parë mjekësore.
Ministria e Transportit ka vënë në gatishmëri kapitaneritë e porteve detare të Vlorës dhe Durrësit, me të gjitha kapacitetet e tyre për të orientuar dhe lehtësuar sa më shumë ankorimin e tragetit.
SPITALI
Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë vënë në gatishmëri të plotë spitali i Durrësit, urgjenca e Tiranës dhe spitali i Traumës në Tiranë. Në orën 18.30 në spitalin e Durrësit u mblodh Shtabi i Emergjencës i kryesuar nga Ministri Ilir Beqaj për të koordinuar të gjithë ndihmën mjekësore që mund të nevojitet në rast të ankorimit të anijes në portin e Durrësit.
Kontaktet mes qeverisë shqiptare dhe qeverive italiane dhe greke janë të vazhdueshme. Ministri Saimir Tahiri ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij italian Anxhelino (Angelino) Alfano, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ka folur me Kryeministrin Antonis Samaras, me të cilin kanë koordinuar vazhdimin e operacionit, njoftoi Kryeministria shqiptare..
FORCA DETARE
Në një konferencë për shtyp, në orën 17:00, komandant i Forcës Detare Komandant i Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti tha:
“Butrinti”, anija jonë shqiptare e cila i është bashkuar operacionit të shpëtimit nga anije dhe helikopterë grekë dhe italianë, ka gjetur trupin e shtetasit grek, i cili u mbyt gjatë operacionit të shpëtimit:
Një person i mbytur, zbuluar nga anija jonë. Rrezikohet dhe mbytja e anijes, pasi i hidhet ujë për fikjen e zjarrit. Kemi marrë masa për rimorkimin dhe masa për pritjen e pasagjerëve. Janë marrë masa për transportin e pasagjerëve nëse vjen në portin e Durrësit, drejt qendrave shëndetësore.
Trageti nuk është ende në territorin e ujërave shqiparë, dhe se dallgët e mëdha të detit e vështirësojnë tej mase operacionin e shpëtimit.
Në këtë situatë dhe roja bregdetare, pas sinjalit të marrë nga qendra e Pireut ka marrë masa. Ka vënë në dispozicion kapacitetet e veta, ka nisur anijen Butrinti, së bashku me anijet e tjera italiane dhe greke është përfshirë në shpëtimin e pasagjerëve. Aktualisht vazhdon të ndodhet në rajon, situata është e vështirë, anija jonë ka marrë pjesën në fikjen e zjarrit dhe shpëtimin e pasagjerëve që mund të kenë rënë në det. Nga informacionet që kemi janë përfshirë në operacion rreth 6 anije, 5 helikopterë dhe aktualisht vazhdon operacioni. Zjarri vazhdon, është shuar pjesërisht, pasagjerët janë në bashin e anijes. Aktualisht vazhdon evakuimi me helikopter. Ministria e Mbrojtjes ka bënë në dispozicion gjithë kapacitetin e tyre, dhe anija “Lisus” që të shkojë dhe të japë ndihmesën e vet. Deti është 6-7 ballë, det goxha i lartë për kapacitetet që ne kemi. Nuk mund të flas për numër të saktë të evakuimit, është e pamundur një shifër e qartë.
Në zonën e operacionit 2 rimorkiatorë italianë. Një rimorkiator është në gatishmëri nga Vlora. Nuk mund të themi se a do vijë në ujërat tona, apo do rrijë aty”.
TRAGETI NË DURRËS? EKSPLOZIV, DO TË HIDHTE NË ERË QYTETIN!
Rreth orës 19:35, kapiteni i përgjithshëm i porteve, Hysni Aruçi i tha “Dyrrah”-ut se nuk parashikohet që trageti në zjarr të rimorkiohet në drejtim të Durrësit, pasi vendimmarrja ka të bëjë me portin italian të Brindisit. Aruçi tha se nuk ishte në dijeni që nga porti Vlorës do të niseshin dy rimorkiatorë për ta sjellë tragetin në flakë në Durrës, sikurse ka njoftuar “Reuters”-i me burim një person i paraqitur si shef rimorkiatorësh në Vlorë.
Nga ana tjetër, përe asnjë rrethanë, nuk mund të jepej urdhër për bregëzim të tragetit në Durrës, pasi do të ishte një “eksploziv” që do të rrezikonte gjithë qytetin. Në kalata ndodhen 6 anije mallrash, dy të tjera presin në radë dhe rreth 2 milje më larg janë strehuar edhe 4 anije të tjera.
6 SHQIPTARË TË SHPËTUAR
Rreth orës 19:30, bëhen publikë emrat e gjashtë shqiptarëve të shpëtuar nga trageti që mori flakë në det të hapur. Njoftimi i është bërë i ditur ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme nga roja bregdetare greke.
Sipas tyre, në bordin e anijes “Aby Jannette” ndodhen 6 shqiptarë të mbijetuar.
1. Refik Aliko
2. Sheraf Aliko
3. Donika Aliko
4. Jonel Lamcaj
5. Festim Çuçi
6. Hasie Çuçi
Ndërkaq, një tjetër shqiptar që ka mundur t’i shpëtojë kësaj tragjedie në det, është evakuuar me anijet e shpëtimit dhe është çuar në spitalin e Brindisit.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





