• Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare ka ndërmarrë fushatë pastrimi të monumenteve nga grafitet, posterët apo lajmërimet e ngjitura mbi to prej qytetarëve dhe subjekteve të ndryshme
DURRËS, 24 dhjetor 2014 – Agjenci funerale përdorin për afishime edhe monumentet, ja fotoja në kolonat antike në Rrugën Tregtare (bulevardi “Dyrrah”). Në foton poshtë “Dyrrah”-u ka fshirë emrin e agjencisë funerale dhe emrat e personave të ngushëlluar.
Këto ditë të fundvitit, drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës ka ndërmarrë një fushatë për pastrimin e monumenteve nga grafitet, posterët apo lajmërimet e ngjitura mbi to prej qytetarëve dhe subjekteve të ndryshme. Shkrimet me bojëra nga përbërës të ndryshëm kimikë, të cilat dëmtojnë estetikisht pamjen e monumenteve, krijojnë probleme serioze, pasi për pastrimin e tyre, duhen përdorur solucione që mund të jenë agresive për monumentin. Gjithashtu, mjaft të dëmshme janë lëndët ngjitëse të posterëve dhe lajmërimeve të shumta të vendosura mbi to.
DRKK-ja u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të përgjegjshëm, të gjithë Miqve të Monumenteve të jenë vigjilentë për të mos lejuar ndërhyrje të kësaj natyre mbi monumentet e kulturës, që janë krenari, ato që i japin këtij qyteti pamjen unike, që nuk e ka asnjë qytet tjetër.
Po më e keqja është kur organizata të ndryshme, agjenci funerale, punonjës policie dhe institucione nuk e kuptojnë që është rreptësisht e ndaluar të ngjiten lajmërime të çdo lloji mbi monumente dhe këto veprime të tyre mund të kenë pasoja të pariparueshme mbi monumentet.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





