•   Edukimi përmes artit dhe sidomos librit mbetet një sfidë e njerëzimit modern. Ndonëse përgjatë dekadave të fundit, vëmendja ndaj lexuesit, sidomos atij të kultivuar është ulur ndjeshëm, qyteti i Durrësit ka treguar interes të vazhdueshëm ndaj librit.

6 dhjetor 2014 – Fatmirësisht Biblioteka Publike e  Durrësit ka shëmbëllyer gjithnjë si "një fole amazonash", e cila u ka mbijetuar sfidave e stuhive.

Gjithmonë i është rezervuar vend lexuesit të madh e të vogël; zonjat që punojnë dhe kontribuojnë aty e kanë kthyer atë në një vend të dashur për fëmijët e të rriturit, nxënës, student, mësues, miq të librit.

Edukimi me librin mbetet njëri ndër prioritetet e çdo shoqërie të civilizuar, ndërsa për bibliotekonomët konsiderohet sfidë për një qasje të re komunikimi me lexuesin. Biblioteka Publike Durrës ofron mundësitë për të qenë dhe për t’u ndjerë realisht pranë librit. E kjo është bërë e mundur në sajë të zonjave të respektuara që e duan, e studiojnë, e vlerësojnë dhe e promovojnë librin; duke filluar nga ish drejtoresha e BPD-së poetja dhe studiuesja Flora Dervishi, bibliotekonomet Edlira Macaj (Tonuzi), Teuta Dhima, Alketa Psatha dhe drejtoresha aktuale zonja Mirela Ylli.

Gjithnjë të dashura, me prirjen për të ndihmuar, sugjeruar dhe këshilluar këdo që u drejtohet në mënyrë të pakursyer. Prej vitesh, ato janë pjesë e stafit të Bibliotekës, dikur nxënëse, studente që studionin në sallën e bibliotekës, sot punonjëse të saj.

Drejtuesja  Mirela Ylli ka studiuar për piano dhe për disa vite  ka ushtruar profesionin e mësueses së kësaj lënde. Më pas është pozicionuar si: nëndrejtore e shkollës 9-vjeçare "B. Bebeziqi", koordinatore në Qendrën Ditore të të Moshuarve, inspektore pranë DAR Durrës, mësuese pranë shkollës speciale dhe aktualisht drejtore e Bibliotekës Publike Durrës.

  Teksa bisedon me punonjësit e bibliotekës të cilat zonja Ylli i konsideron kolegë dhe bashkëpunëtorë, ata shprehen njëherazi “se drejtuesja Ylli ka veti organizative të spikatura dhe di të marrë atë çka është më e mira e gjithësecilit prej nesh, respekton lirinë e mendimit dhe të komunikimit dhe në diskutime ndihemi të lirshëm të shprehim atë çfarë mendojmë, nuk shfaq preferenca në staf dhe porsa troket dera dëgjohet një: urdhëro e ngrohtë”. Në përfundim të gjithë pohojnë në një mendje se në institucionin e BPD-së ndihet një frymë e ngrohtë bashkëpunimi midis kolegëve, gjë që i dedikohet  kryesisht një drejtuesi të mirë” si  Mirela (Mina) Ylli.

Mbi të lexuarit dhe lexuesit, zonja Ylli i përgjigjet si më poshtë pyetjes që shumëkush u drejton punonjësve të BPD-së, ç'libër më rekomandoni: "Të lexuarit ka një lidhje të drejtpërdrejtë me shijet personale të lexuesit ashtu si të ngrënët dhe të veshurit. Për çdo përdorues  ka një libër dhe për çdo libër, një përdorues. Specialisti duhet të inkuadrojë fillimisht kategorinë e përdoruesit, cilësinë e tij dhe më pas bazuar në moshën, gjininë, të bëjë rekomandimin. Preferencat në kategoritë nxënës, studentë, lexues të ndryshëm, variojnë dhe ndryshojnë nga njëra-tjetra. Pavarësisht shijeve të ndryshme, mendoj se duhet synuar në një edukim, apo dhënie formë këtyre shijeve. Në mënyrë të veçantë, brezi i ri duhet mbajtur larg literaturës që nuk është tjetër veç një barazim midis saj dhe telenovelave të rëndomta të shtëpiakeve dhe t’i drejtojmë ata, drejt një literature bashkëkohore që do t’i ndihmojnë të renditen lehtësisht përkrah të rinjve në mbarë botën".

Teuta Dhima, moderatorja që me zërin e ngrohtë dhe melodioz më së shumti  shfaqet në krye të veprimtarive të organizuara nga Biblioteka Publike nën siglën “Durrësi për librin”dhe njëherazi kujdeset për bashkëpunimet me mediet lokale e kombëtare. Ajo publikon vazhdimisht shkrime të ndryshme kritike për autorë durrsakë dhe jo vetëm. Gjatë një bisede me të, Teuta komenton se shumë njerëz që nuk e njohin nga afër punën në Bibliotekë mund të hamendësojnë se është një marrëdhënie marrjeje e dorëzimi librash dhe kaq. Por bibliotekat mbeten institucione kulturore në shërbim të publikut dhe i krijojnë atij kushte për hyrje të lira në informacion. Deri këtu, gjithçka mund të duket e thjeshtë, por duke pasur marrëdhënie të përditshme me përdoruesin, dalin probleme dhe lindin kontradikta nga më të ndryshmet. Përdoruesit s’janë të kategorive të njëjta: ka nga ata që vijnë për herë të parë në bibliotekë dhe i duhet shpjeguar gjithçka mbi skedarin, manual dhe elektronik, fondin e bibliotekës dhe mënyrën e kërkimit të informacionit. Ka pastaj përdorues të tjerë, të cilët kanë vite që e frekuentojnë bibliotekën dhe jo vetëm janë në dijeni të fondit tonë, por janë edhe përdorues të mirë të skedarit  manual dhe elektronik. 

Kur e pyes, se si lindi tek ajo dashuria për librin, Teuta thotë se” afeksioni im për librin është i hershëm sa më duket se kam lindur me libër ndër duar. Hera e parë që kam shkelur në bibliotekë, ka qenë në bibliotekën e shkollës, por unë ende nuk shkoja në shkollë. Në atë kohë, frekuentoja një kopësht pa drekë që ishte brenda ndërtesës së shkollës. Kurioze nga natyra, i afrohem derës së bibliotekës që ishte një derë normale klase, por me një sportel të hapur nga ku jepeshin dhe merreshin librat. Në atë sportel, qëndronte dhe problemi im… Me gjatësinë e asaj moshe, unë nuk e arrija sportelin. Gjeta një zgjidhje të shpejtë: e gjatë nuk isha, por zëri nuk më mungonte. Nisa të thërras: – teta! o teta! Mësuesja që shërbente librat, doli në sportel, por unë isha nën të. Ajo hapi derën dhe unë futem brenda. Para meje u shfaq një mori raftesh. Në këtë bibliotekë,u dashurova për herë të parë me librin”.

ALKETA  PSATHA, e specializuar në fushën e Bibliotekonomisë, pranë Bibliotekës Kombëtare. Gjithashtu, ajo është një kataloguese e licensuar për aplikimin e projektit Cobiss.net, për Biblitekën Publike Durrës dhe njëherazi bashkautore e krijimit të katalogut në rrjet për projektin rajonal Interreg III Pulia and Albani,  komunitete në rrjete. Alketa ose Keti siç e thërresin kolegët, lexuesit dhe pjesëmarrësit në aktivitetet e vazhdueshme të BPD ka qenë dhe pjesëmarrëse në Projektin me Fondacionin Soros, për zbatimin e katalogimit në programin Winisis.

Edlira Tonuzi (Macaj) ka kryer studimet doktorale pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti Histori dhe Filologji, specialiteti: studime letrare. Gjithashtu ajo ka kryer një master për Shkencë të Informacionit Bibliotekarisë dhe Studimeve Librore pranë Universitetit të Ljubljanës, Slloveni. Ndër botimet e saj renditen si: “Pasqyrat e Narcizit, simbolika mitike dhe semiotika e tekstit”, Vise të preme, bashkëautore (kapitulli i dytë)”, “Çabej në fondin e Bibliotekës Publike Durrës”, Pena në Durrës”, “Kadare në fokusin e kritikës dhe të publicistikës”,”Vlera të rralla” (për antikuarin dhe shqipen e vjetër si edhe periodikun e viteve 1900-1944), botime në revista shkencore etj. Së bashku me Alketën, të dyja janë specializuar si kataloguese të licensuara për aplikimin e projektit Cobiss.net, për BPD.

Alketa, Edlira dhe Teuta, përsa u përket veprimtarive me librin shprehin se kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë gjithmonë një traditë e bukur në institucionin e BPD-së. Të moderosh në të tilla aktivitete apo leximi i recensioneve e kritikave letrare, përbën gjithnjë një kënaqësi e veçantë dhe u fal shumë emocion atyre. Kënaqësi që konsiston në faktin që është libri ai që po përurohet dhe epiqendra e çdo eventi, kryefjala e këtyre pasditeve letraro-artistike.

 Është libri që po sillet në duart e lexuesit si një risi e vyer. Ky lloj pozicioni u jep mundësinë dhe kënaqësinë që të jenë në kontakt me autorë të ndryshëm të cilët kanë promovuar veprat e tyre para publikut durrsak. Bashkë me pjesëmarrësit, ato ndajnë të njëjtat emocione si autori teksa përuron veprën e tij. Pjesa më e bukur e këtyre aktiviteteve mbeten duartrokitjet miratuese, inkurajuese dhe mbështetëse të auditorit, falenderimet e autorëve për punën e performancën e amazonave të bibliotekës.

Ato shfaqin dhe shqetësimin e sinqertë se : ”Jo pak herë, para nesh dalin një sërë problemesh dhe lindin dilema të cilat kërkojnë zgjidhje me një emërues të kënaqshëm, si për institucionin dhe për komunitetin të cilit i shërbejmë.

Ajo çfarë i ofrohet përdoruesit, a është ajo çfarë ai kërkon? A duhet zgjedhur libri më i mirë, apo ai më i shituri? Përzgjedhja e materialeve bibliotekare është një detyrë e vështirë e cila realizohet në sajë të një bashkëpunimi zinxhir midis: punonjëses Klasifikatore dhe pasuruese, Bibliografes dhe specialistëve të tjerë. Siç shihet pra, është një punë e gjatë deri sa libri të arrijë në duart e përdoruesit. Nga njëra anë qëndrojnë nevojat aktuale të komunitetit të përdoruesve, nevojat aktuale të tij dhe nga ana tjetër, përshtatja me koleksionin aktual të bibliotekës.

Në fund të takimit tonë, drejtuesja e BPD-së zonja Mirela Ylli shprehu falenderime të përzemërta për stafin e mrekullueshëm të B. Publike, kolegët që e mbështesin vazhdimisht dhe të gjithë lexuesit durrsakë që frekuentojnë bibliotekën e Durrësit.

/g.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/