Gjatë kontrolleve të ushtruara sot në Portin e Durrësit, strukturat e Doganës në bashkëpunim me Policinë Kufitare kanë evidentuar një rast të futjes së paligjshme të ilaçeve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në një mjet të ardhur nga Bari, Itali, u konstatuan 4 kuti me medikamente të ndryshme, të padeklaruara dhe pa dokumentacion shoqërues përkatës.

Ilaçet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa drejtuesi i mjetit dhe materialet përkatëse iu referuan organeve kompetente për veprime të mëtejshme procedurale.

Dogana Shqiptare vijon angazhimin për forcimin e kontrolleve dhe garantimin e zbatimit të ligjit, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik dhe luftës kundër paligjshmërisë.