6 dhjetor 2014 – Emri i Daniele De Rossit del në skenë për një telefonatë të dyshimtë që ai ka bërë me një nga të akuzuarit e organizatës mafioze në Romë. Burime policore bëjnë me dije se telefonata për të cilën po hetohet, daton në 30 shtatorin e vitit 2013 mes lojtarit të Romës dhe të arrestuarit Giovanni De Carlo. De Rossi e ka kontaktuar të akuzuarin pas një debati që pati në një lokal të kryeqytetit bashkë me ish shokun e skuadrës Mehdi Benattia. Në këtë mënyrë, zv/kapiteni i kërkon ndihmë për të zgjidhur problemet dhe De Carlo e siguroi lojtarin se do të kishte përherë mbështetjen e tij.
“Më telefono përherë kur ke të tilla probleme. Bëre shume mirë miku im Daniele”, i thotë i dyshuari për pjesëmarrje në organizatë mafioze, duke rënduar pozitat e mesfushorit që tashmë mund të përfshihet në hetim. Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi reagoi edhe klubi kryeqytetas, duke theksuar se De Rossi do ta sqarojë vetë pozicionin e tij. Shoqëria kryeqytetase thekson gjithashtu se nuk ka asnjë bazë për të hapur një hetim penal ndaj lojtarit. Pak ditë më parë ish bashkëshortja e futbollistit, Tamara Pisnoli u akuzua për rrëmbim personi por nuk dihet ende nëse telefonata e De Rossit lidhet me këtë fakt.





