DURRËS, 5 dhjetor 2014 – Në një dokumentar të realizuar nga Radio e Jashtme e Kinës, Song Kiming, përkthyesi i kompanisë detare CHAL (Kinë-Shqipëri) në vitet 1968-74, flet për përshtypjet e tij nga puna në Durrës.
Në vitin 1962, u krijua shoqëria aksionare shqiptaro-kineze e lundrimit detar “CHAL”, me tri anije të mëdha, dy shqiptare – “Vlora” dhe “Shkodra” (ndërtuar në Itali, tonazh mbi 12 mijë tonë) dhe një kineze – “Wampo” – me qendër në Durrës dhe degë në Kanton.
Kimingu tregon:
“Shqiptarët na përkrahnin në përgjithësi. Për shembull, pala shqiptare i drejtonte anijet tona të ankoroheshin në port. Kjo kishte shumë rëndësi, sepse një ditë jashtë portit kishte kosto shumë të lartë. Nëse në port kishte vend, ai do të rezervohej për anijet kineze. Pasi përfundonte ngarkimi, nëse kishte ende hapësirë në anije, do t’i telefonoja fabrikës së duhanit të Durrësit, e cila ishte me ndihma kineze. Drejtori i fabrikës, që ishte shumë dashamirës, me të marrë telefonatën tonë, shtonte menjëherë turnet e prodhimit. Kështu do të prodhoheshin disa arka duhan për të plotësuar hapësirën e mbetur bosh në anije. Kështu nuk do të na shkonte asnjë dëm hapësire, si dhe nuk do të kishim humbje nga transporti detar”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





