5 dhjetor 2014 –  Hije dyshimi mbi titullin botëror të Romela Begajt. IWF, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes në faqen e saj online ka bërë të ditur se peshëngritësja shqiptare ka rezultuar pozitive në testin e antidopingut me substancën, stanozolol. Federata ndërkombëtare bën të ditur se për pasojë, sportistja do të pezullohet për momentin në pritje të kryerjes së testit B dhe dëgjimit të versionit të saj në apel, ku nëse vërtetohet se Romela nuk ka përdorur asnjë substancë të ndaluar dhe rezultati i analizave të para nuk ka qenë i saktë, atëherë ajo mund të mbajë medaljen e artë dhe njëkohësisht dhe titullin. IWF njofton se nuk do të ketë prononcime të tjera mbi këtë çështje deri sa ajo të qartësohet përfundimisht. Ndërkohë Federata Shqiptare të Peshëngritjes, e cila bëri të ditur se për momentin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga IWF, pavarësisht se në faqen online të kësaj të fundit, ky vendim është bërë publik. Drejtues të Federatës bën të ditur se në momentin që do të ketë një shkresë zyrtare do të bëhet dhe një njoftim publik për këtë çështje dhe do të mbahet dhe një konferencë për shtyp. Romela fitoi titullin botëror në fillim të nëntorit në Kazakistan në stilin e shkëputjes, duke ngritur 113 kilogram. Ky ishte titulli i parë botëror për një sportiste shqiptare.  

Dyshimet e ngritura për titullin botëror të Romela Begajt erdhën në një moment kur sporti shqiptar e mbi të gjitha peshëngritja shqiptare po përjetonte një moment të artë. Vetë atletja, sipas burimeve pranë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes i është nënshtruar 3 herë testit të anti-dopingut përpara fillimit të Botërorit dhe në të treja ka rezultuar e pastër, por komunikimi nga ana e IWF për pozitivitet ndaj substancës stanozolol ka ngritur dyshime mbi medaljen e saj të artë. Por çfarë është konkretisht stanozololi? Ajo është një substancë sintetike, e cila merret nëpërmjet rrugëve orale ose injektimeve në muskuj dhe në pacientët normalë përdoret kryesisht për kurimin e anemisë. Stanozololi ndihmon në rritjen e masës muskulare, shtimin e rruazave të kuqe në gjak dhe forcimin e kockave. Përdorimi i kësaj substance te njerëzit lejohet që prej vitit 1962, ndërkohë që prej vitit 1974, IOC e ka vlerësuar atë si një substancë të ndaluar nga sportistët. Me stanozolol kanë rezultuar pozitivë në të kaluarën dhe kampionë të mëdhenj si Ben Johnson, që humbi titullin olimpik në garën e 100 metrave në Olimpiadën e Seul 1988, apo rusja Olimpiada Ivanova, e cila u pezullua për dy vjet në vitin 1997 dhe ju hoq medalja e argjendtë në Botërorin e Atletikës në garën e 10 mijë metrave.