DURRËS, 5 dhjetor 2014 –  “Shqipëria përfundon me sukses të plotë asgjësimin e 17 tonë municioneve të ardhura nga Mali i Zi. Ky proces u krye në Uzinën e Lëndëve Plasëse (ULP) në Mjekës të Elbasanit”, kështu zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes Edlirë Prenga, pas 35 ditësh, konfirmoi atë që ka shkruar “Dyrrah”-u (www.durreslajm.com/investigim/n%C3%AB-mjek%C3%ABs-demontohen-predha-artilerie-%E2%80%9Cmade-serbia%E2%80%9D#sthash.wH639xsJ.dpuf). 

Më 5 dhjetor 2014, Prenga ia ka dërguar“sihariqin” me e-mail autorit të investigimit Gjergj Thanasi, të cilit, më 21 tetor 2014, i bëri një SMS gjysmake lidhur me informacionin e kërkuar zyrtarisht për demontim predhash sllave në ULP Mjekës; me sa duket, ky veprim është bërë me urdhër të Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli. 

Shënojmë se znj. Kodheli e njeh mirë autorin, ekspert për probleme të sigurisë, i vlerësuar dhe ndërkombëtarisht për saktësinë e informacioneve që zotëron. Madje, kur ishte në opozitë Ministrja i ka përdorur me efikasitet këto informacione. Por kreu i dikasterit bashkë me mirditorët e saj i ka “harruar” gazetarin dhe “Dyrrah”-un për stërvitjet e ndryshme, deri dhe për ato të zhvilluara në Durrës, pa le për ato të NATO-s jashtë vendit!

Nga ana tjetër, Ministres nuk ia preu mendja se shkrimi i “Dyrrah”-ut do t’i hapte jo pak punë tek eprorët dhe partnerët e huaj.

Pra, vetëm më 5 dhjetor 2014, Ministria e Mbrojtjes foli se “u realizua asgjësimi i 17 tonë municion i ardhur nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar për këtë qëllim midis dy palëve”. 

Sfond

Në shkrimin e botuar në “Dyrrah” më 27 tetor 2014, shkruhej ndër të tjera:

“Në dokumentin me titullin në serbisht “Informacija” përshkruhej një marrëveshje zyrtare ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë. Marrëveshja ka numrin 08-3120/3-13 e datës 10 janar 2014.  Sipas marrëveshjes Mali i Zi do të demontonte në ULP Mjekës 50 380 copë predha tip blindshpues-djegës për top kundërajror kalibër 20 mm. Predhat, që do demontoheshin në ULP Mjekës, peshonin 17,13 tonë… 

Marrëveshja është nënshkruar nga Miodrag Radushinovic zëvendësministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, që mbulon burimet materiale, standardizimin dhe modernizimin e ushtrisë malazeze… Për palën shqiptare marrëveshja është nënshkruar nga zonja Mirela Roshi… avokate shqiptare e specializuar në çështjet e divorcit dhe sidomos për sa u përket problemeve të fëmijëve të çifteve të divorcuara…

Kontrolluam në sajtin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe në sajtin e Shtabit të Përgjithshëm, por nuk gjetëm asgjë për këtë marrëveshje midis ministrive të mbrojtjes të të dy vendeve. ULP Mjekës, gjithashtu nuk kishte bërë publike asgjë për demontim në këtë uzinë të municioneve të tilla të prodhuara në Serbi, por në pronësi të shtetit malazez…

Po e mbyllim shkrimin tonë me pyetjet: pse vallë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk e bënë publike këtë marrëveshje? Të jetë vallë meraku i ruajtjes me fanatizëm i sekretit ushtarak burimi i kësaj mostransparence? Po fqinjët tanë sllavë, malazezët pse vallë nuk e ruajtën këtë “sekret” ushtarak me kaq fanatizëm sa homologët e tyre shqiptarë?”

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/