DURRËS, 13v nëntor 2014 – Pas z. Bashkim Fino është deputeti i Durrësit z. Blend Klosi që kërkon llogari për rrudhjen e dorës së buxhetit për vitin 2015 në rastin e bashkisë së dytë, nga madhësia në vend, asaj të qytetit bregdetar.
Diskutimi i projektbuxhetit për vitin 2015 në komisionin parlamentar për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut është shoqëruar me debate mes ministrit të Financave Shkëlqim Cani, ish-deputeti i qarkut të Dibrës dhe deputetit aktual të qarkut të Durrësit Blend Klosi.
Deputeti Blend Klosi:
“Sipas kujt logjike sasia më lartë e buxhetit i kalon Dibrës. Me çfarë logjike i jepet Durrësit buxhet më i vogël?”
Ministri i Financave Shkëlqim Cani:
“Buxheti llogaritet sipas formulës të vitit 2001 nga USAID. Kjo formulë dendur i është kaluar PD-së, por në fakt është e USAID-it [United States Agency for International Development / Agjencia e qeverisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – “Dyrrah”-u] e vitit 2001 kur në pushtet ishte PS-ja. Kjo formulë funksionon në Gjermani dhe Austri. Edhe kur të rishikohet formula, do të merret mendimi i faktorit ndërkombëtar. Nuk mund t’ia lëmë në dorë Ministrit të Financave, Kryeministrit apo Ministrit [të shtetit] për Çështjet Vendore. Viti 2015 bën reformë territoriale të pushtetit vendor”.
Deputeti Blend Klosi:
“Formula e ndarjes së fondeve për pushtetin vendor duhet të ndryshohet edhe për faktin se me këtë formulë qarqet e Tiranës dhe Durrësit marrin më pak fonde në listën e 12 qarqeve. Formula mund të jetë e vitit 2001, por që atëherë deri sot situata demografike ka ndryshuar. Qarku i Durrësit ka ndryshuar 4 herë. Në vitin 2001 [në bashkinë e Durrësit – “Dyrrah”-u] votonin 40 mijë votues, tani votojnë 160 mijë votues. Ju po pranoni logjikën time që kjo situatë duhet ndryshuar. E njëjta gjë edhe për Tiranën, që nuk ka më pak rrugë se Dibra. Ka rrugë rurale në Durrës që janë shumë të këqija. Ka ardhur koha që edhe në kuadër të reformës territoriale ta spostoni këtë formulë dhe pastaj super-investimet të çohen në qarqet e mëdha. Tirana, Durrësi dhe Vlora s’mund të jenë në fund për sa u përket investimeve.”.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani:
“Është vendosur që formula të mos ndryshojë”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





