DURRËS, 12 nëntor 2014 – Daniel Godelli kampion bote! Si askush më parë në sportin Shqiptar, mbi majën më të lartë të Botës, duke sfiduar me të mëdhenjtë për të qenë më i madh mes tyre. Në Kazakistan, Godelli arriti të fitojë titullin botëror në dygarësh, në stilin e shkëputjes dhe argjend në të shtytjes, ku arin e humbi vetëm se provoi rekordin botëror me 211 kilogram. Nuk ja doli, por kjo pak rëndësi ka pasi titullin botëror nuk ja hoqi dot askush. Që në fillim u kuptua që do të ishte një garë mes Godellit dhe kinezit Guoshun Zhong. Qerimaj e mbylli garën në vendin e pestë me 158 kilogram, ndërsa Godelli e nisi nga 163 duke qenë që në fillim këmbngulës për medalje. Ngritja e peshës e katapultoi direkt në zonën e medaljes, por Godelli nuk u kënaq mbi kaq. E mori mbi supe dhe 167 kilogram dhe arriti t’i cojë sipër, pa lëvizur aspak. Zhong megjithatë dukej i pakapshëm kur në provën e dytë kaloi me sukses 171 kilogramë. Por Godelli tani nuk kishte më asgjë për të humbur. Falë peshës më të lehtë trupore u ngjit mbi pedanë për 171 kilogram i ndërgjegjshëm se medalja e arit mund të ishte i tija në rast se Zhong gabonte në provën e fundit. Shtanga u duk sikur e vuri poshtë por Godelli mori frymë thellë për të ngritur lart botën e tij. Mes tij dhe titullit botëror tashmë qëndronte vetëm Zhong. Kinezi që mendohej se nuk do të kishte rivalë ndjeu presionin dhe e lëshoi peshën. Daniel Godellli ishte zyrtarisht kampion bote në stilin e shkëputjes. I dyti Zhong dhe i treti koreano-veriori Song me 163 kilogramë. Në stilin e shtytjes, Qerimaj gaboi të treja provat, duke mos arritur do të kualifikohet në dygarësh, pavarësisht se në të tre provat erdhi duke ndryshuar provat. Godelli nga ana e tij e nisi me 195 kilogram. Emocionet bënë të tyren dhe shtanga u drodh, por në fund mes tij e shtangës fitoi Godelli. Koreano veriori Song arriti ta kalojë me sukses gjithashtu 195 kilogram, por qëndronte pas Godellit me peshë më të rëndë trupore. Kinezi Zhong e nisi me 196 kg por prova e parë ishte e dështuar për të, por gjithsesi e kaloi me sukses të dytën. Por nuk kishte bërë llogaritë me Danielin, që 198 kilogram i ngriti shumë thjeshtë. Në pushim, emocionohet i lexoheshin në vështrim, ashtu si dhe frymëmarrja e rëndë tregonte madhështinë e arritjes së tij. Song i surprizoi të gjithë kur provoi me 200 kilogram. Kinezi Zhong gaboi dhe Godelli ishte kampion bote tashmë. I ndërgjegjshëm për titullin botëror, Danielin provoi të dilte kampion edhe në shtytje madje duke tentuar rekordin boteror, por nuk ja doli dot mbanë. Gjithsesi bota qëndroi mbi duart e tij duke e ngjitur veten dhe Shqipërinë në majën më të lartë, për ditën më të bukur sportive në historinë tonë.
Urimet per Godellin nga kryeministri dhe shume personalitet te tjere
Titulli kampion që fitoi Daniel Godelli në Botërorin e Peshëngritjes në Kazakistan ka entuziasmuar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, dhe i pari qe e ka uruar ishte kryeministri Edi Rama i cili shkroi ne faqen e tij ne twitter: Uh çfare gezimi Daniel Godelli kampion bote ne peshengritje!Do te tentoje pas pak rekordin boteror!Sapo e urova,fantastike! #ForcaShqiperia
Nga ana tjetër ministrja e Sporteve, Lindita Nikolla, ka shkruar në Facebook: “Lajme të mira nga Kazakistani! Daniel Godelli me medalje ari në Botërorin e Peshëngritjes.” Po keshtu kreu i Bashkisë së Tiranës dhe njekohesisht kreu i opozites Lulzim Basha ka uruar peshëngritësin Daniel Godelli për titullin kampion bote. Në një postim në “facebook” Basha shkruan se Sportistët e Sport Klub Tiranës nderojnë sërisht Shqipërinë. “Sportistët e Sport Klub Tiranës nderojnë sërisht Shqipërinë. Faleminderit Daniel Godelli, kampioni më i ri i botës në peshëngritje. Mbështetja për ju detyrimi ynë. Urime dhe Erkand Qerimajt për rezultatin e arritur. Urime dhe suksese sportistëve tanë që na bëjnë krenarë. Përpara Shqipe!”-shkruan Basha.
Edhe kapiteni i Kombëtares Lorik Cana ka postuar nje urim per Godellin. Me anë të një postimi në Facebook Cana uron kampionin e ri të botës: "Urime kampion!Daniel Godelli fitoj titullin KAMPION BOTE O SA MIRE ME QENE SHQIPTAR".





