DURRËS, 12 nëntor 2014 –  Pas “cedimit” të çamëve të Plazhit, degëve të PD-së së Durrësit dhe Shijakut po u rrudhet elektorati mes kosovarëve të Rrashbullit dhe boshnjakëve të Borakës e Koxhasit.

Tradicionalisht, në këta 20 vjet PD-ja dhe lideri i saj  baca Sali Berisha janë parë me adhurim nga kosovarët, që kanë qenë mbështetje solide në fushatat zgjedhore.

Me sa duket, këtu ka ndikuar Kryeministri Edi Rama, i cili është parë me simpati pas turit Beograd-Preshevë-Kosovë nga shumë kosovarë të Rrashbullit, Shënavlashit dhe Qerretit të cilët, gjithsesi, janë faktorë jo pa peshë në votime.

“Dyrrah”-u ka mësuar nga seksioni dhe nënseksionet blu të komunës më të madhe në Durrës dhe në vend, Rrashbull, se edhe mes individësh me ndikim në farefis dhe fans të  bacës nuk janë pritur mirë prononcimet e z. Berisha, politikanëve të veçantë dhe opinion-bërësve afër opozitës ndaj rezultateve të vizitës së Kryeministrit shqiptar në Beograd dhe Preshevë.

Në këtë rast, pozitat e PD-së bregdetare po “minohen”, dashje pa dashje, nga SHQUP-i, që po i “çon me zor” kosovarët drejt kandidatit të së majtës në zgjedhjet e ardhshme vendore. 

Publikimi i faktit që z. Rama dhe shpura e tij kishin kontraktuar transportimin në Serbi me boshnjakët, ka ngjallur krenari në bashkësinë boshnjake të Borakës dhe Koxhasit, që ka nxjerrë shumë kuadro për PD-në e Durrësit dhe Shijakut.

Përplasja e fortë midis kryeministrave Rama dhe Vuçiç në pallatin “Serbija” është konsideruar nga boshnjakët e Shijakut si befasi, trimëri dhe një lloj “shpagimi” edhe të atyre vetë ndaj arrogancës serbe, krimeve që janë bërë në atdheun amë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Çdo sulm politik nga opozita, së cilës i përkasin boshnjakët si elektorat, kthehet në bumerang për bazën e selive blu në dy Durrës dhe Shijak.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/