DURRËS, 12 nëntor 2014– Cristiano Ronaldo që ofendon Mesin. Një lajm që bën xhiron e botës, pas biografisë së botuar nga Giullem Balague për Lionel Mesin, ku flitet se portugezi nuk lë rast pa ofenduar Mesin mes kolegësh dhe madje dhe vetë ata kolegë që përmendin emrin e tij. Por duket se në gjithë këtë histori nuk ka asgjë të vërtetë, aq sa portugezi ka nxituar të reagojë duke paralajmëruar madje se do ta hedhë në gjyq shkrimtarin. Në fakt libri i Balague, është e vetmja autobiografi e Mesit e njohur dhe nga klubi i Barcelonës. Dhe duket disi paradoksale por libri ka rreth një vit që ka dalë në treg, por vetëm së fundmi disa copëza të tij kanë filluar të prodhojnë lajm.
Madje në brendësi shkruhet se jo vetëm Ronaldo por gjithashtu dhe lojtarët e tjerë të Realit, e etiketojnë argjentinasin si qenin apo lodrën e Ronaldos. Balague në librin e tij madje shfaq dhe ndryshimin mes Ronaldos publik dhe atij në jetën private, teksa përpara kamerave shfaq respekt për rivalin argjentinas, duke pranuar madje se janë të dy të mëdhenj por të ndryshëm ndërsa mes miqsh nuk i kursen ofendimet për të. Publikimi i përmbajtjes ka mjaftuar që Ronaldo të reagojë duke theksuar se ka lajmëruar avokatët e tij për të hedhur në gjyq autorin duke shtuar se respekton në maksimum të gjithë kolegët e tij pa përjashtim, përfshi dhe Mesin.





