DURRËS, 12 nëntor 2014 – Në qytezën e Sutrit, Provinca e Viterbos, të martën 11 nëntor 2014 rreth orës 15.30, emigranti shqiptar me inicialet A.A. 53 vjeç vrau të dashurën e vet , po shqiptare 31 vjeçaren H.B. Ai e goditi disa herë me thikë në bark dhe në gjoks derisa e la të vdekur.
Karabinierët dyshojnë se vrasja është kryer për motive xhelozie. Më pas, ai u telefonoi karabinierëve duke u treguar për vrasjen dhe tentoi të vetëvritej duke prerë damarët me thikë. Që të ishte i sigurtë se do vetvritej me sukses, piu edhe zbardhues rrobash. Ndihma e shpejtë e dërgoi me helikopter ambulancë në Spitalin Xhemeli (Gemelli) të Romës. Pas mjekimeve intensive, mjekët besojnë se vrasësi është jashtë rrezikut për jetën.
E ndjera ishte e divorcuar me tre fëmijë. Fëmija më i madh 14 vjeçar jetonte në Shqipëri, ndërsa dy fëmijët e tjerë 12 dhe 7 vjeç fatmirësisht ende nuk ishin kthyer nga shkolla. Si vrasësi edhe e ndjera jetonin në kushte të vështira ekonomike, sepse që të dy ishin aktualisht të papunë.
Karabinierët e Viterbos kanë kontaktuar Ambasadën shqiptare në Rromë, që të mundësohet njoftimi i familjarëve të së ndierës. Ndonëse Ambasadori Ceka nuk ishte në ambasadë, sepse të mërkurën do marrë pjesë në një ceremoni zyrtare në bordin e Aeroplanmbajtëses “Cavour”, në Portin e Ortonës, personeli i ambasadës po angazhohet aktivisht në këtë drejtim.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





