DURRËS, 11 nëntor 2014–  Telashe në horizont për trajnerin e Francës Didier Deschamps për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Kombëtarja e gjelave në sfidën miqësore që do të zhvillohet këtë të Premte në Rennes nuk do të ketë në dispozicion dy futbollistë të rëndësishëm si Blase Matuidi dhe Benoit Tremoulinas. Ky lajm u konfirmua nga federata franceze e futbollit në faqen e saj në internet. Dy mungesa të rëndësishme këto për përfaqësuesen 2-herë kampione Europe sidomos ajo e mesfushorit të Paris Saint Germain, pasi Matuidi është një nga lojtarët kyc për trajnerin Deschamps në qëndër të mesfushës. Për të zëvendësuar 27-vjecarin i cili ka pësuar një frakturë në dorën e djathtë në ndeshjen mes Paris Saint Germain dhe Marseille numri 1 i stolit të Francës ka grumbulluar mesfushorin e Lionit Maxime Gonalons. Paraqitjet e mira të këtij të fundit nuk kanë mbetur pa rënë në sy të Deschamps me Gonalons që bën kështu rikthimin në kombëtaren 1-herë pas plot 2-vjetësh pasi grumbullimin e fundit e kishte patur në Nëntor të 2012-s në ndeshjen miqësore që Franca zhvilloi ndaj Italisë. Ndërkohë që  vendin e mbrojtësit të majtë të Sevillias Tremoulinas e ka marrë 22-vjecari i Monacos Layvin Kurzawa, që grumbullohet për herë të parë në kombëtaren e gjelave.