Durrës, 4 Nëntor 2014 – Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ka marrë një nismë sa të guximshme aq edhe të lavdrueshme: Vënien në skenë të Elektrës,  tragjedisë madhore të Sofokliut. Vënia në skenë do të bëhet nga aktori dhe regjisori shqiptar  Laert Vasili, relativisht i famshëm në Greqi.

Fatkeqësisht Bashkia Durrës nuk ka dhënë asnjë grosh për këtë projekt të madh kulturor. Bashkia në kohën e Tomorr Golemit, normalisht nuk kishte para për kulturën, sepse ende dyqanet e bukës ishin me hekura në dritare dhe shqiptarët e mbanin frymën gjallë me ushqimet, që shpërndanin kamionët e Operacionit Pelikan. Sot, kur Bashkia e Durrësit financon dhjetra milionë lekë të vjetra për  shalët e këngëtares Gjyste Vula, për gjithfarë misesh e “misrash”, fare mirë mund të hidhte pesë lekë edhe për Elektrën e Sofokliut. Vënia në skenë e një tragjedie klasike si Elektra është prestigj, famë madje madje edhe tangërdhëk për një trupë teatrore lokale si ajo e Durrësit.

Tashmë, kur Kryebashkiaku Dako përveç përmasave lokale ka marrë edhe përmasa rajonale, ja vlen që edhe Elektra nga skena e Durrësit të mund të kalonte edhe në skenën e Selanikut. Me një gur vriteshin disa zogj. Realizohej konkretisht binjakëzimi i Durrësit me Selanikun, qytetin e dytë më të madh dhe kryeqytetin kulturor të Greqisë. Binjakëzim ky, që e kanë aq për zemër të dy kryebashkiakët Dako dhe Boutari. Eksportohej arti shqiptar në Greqi i ambalazhuar me Elektrën greke. Kujtojmë në këtë kontekst suksesin në skenat greke dhe jo vetëm të aktorit të madh durrsak Mirush Kabashit me Sokratin e tij. Të njëjtën gjë do të arrinte minimalisht edhe Elektra në skenat e Selanikut e më tej. Nëse Elektra në Selanik, do koinçidonte me vizitën e Kryeministrit Samaras në Tiranë, do ishte mrekulli, sepse do shërbente sadopak si maskim për lëshimet e mundshme të Kryeministrit Rama ndaj kërkesave semi-ultimative të z. Samaras. Bëhet fjalë për nja 120 Km. katror det apo për ndonjë varrezë palikarësh grekë pjesërisht të mbushur me kocka gomerësh shqiptarë, gomerë nga të Kosinës së Përmetit ama , d.m.th. gomerë rrace!

Besoj se Kryebashkiaku Dako mund dhe duhet të verë dorë në këtë drejtim. I kujtoj z. Vangjush se aristokratët dhe senatorët e Romës së lashtë ishin jo vetëm parellinj të mëdhenj por edhe patronë, mbrojtës të arteve. Ata nga xhepi i tyre por dhe me paratë publike investonin miliona sesterca për të financuar vepra arti në Rromë dhe në qytetet e tjera rromake. Një nga më të famshmit ishte dhe senatori Mecena, në kohën e Perandorit August. Pikërisht fjala mecenat vjen nga emri i këtij senatori, që mbeti në histori jo thjesht si aristokrat apo pasunar romak, por si mbrojtës dhe finacues i artit.

Z. Dako është pasunar, besoj edhe se është kryebashkai relativisht i suksesshëm. Besoj se është edhe figurë me përmasa përtej atyre lokale. Ka ardhur koha, që të jetë edhe xhentëllmen (burrë sojli, burrë esnaf siç kanë pas thënë pleqtë). Që të jësh xhentëllmen nuk mjafton të jesh pasunar. Duhen edhe disa cilësi të tjera. Njëra nga cilësitë e domosdoshme është të qenit patron, mbrojtës i arteve. Ka ardhur dita, që si kryebashkiak Vangjush Dako ta zgjidhë qesen për artin. Për artin e vërtetë ama, jo për tallvanë, apo për shalët e Gjystes e të miseve.

Vangjush zgjidhe qesen për Elektrën se nderon veten, nderon Durrësin dhe kontribon në kulturën shqiptare! I tregon grekëve se shqiptarët nuk janë thjesht “palo allvanos”. Shqiptarët nuk dinë vetëm “dhula”, “psomi” e “capcorap”, dinë t’i përgjigjen “skatasë” greke edhe me art madje edhe me artin e mjeshtrit të madh grek të antikitetit Sofokliut.

Vangjush ka ardhur koha të sillesh jo thjesht si kryebashkiak, por edhe si xhentëllmen!

/Gj.Th Agjencia e Lajmeve Dyrrah/