· Ministri i Transportit dhe Hekurudhës z. Edmond Haxhinasto “lan gojën” me gjoja përparësinë që i jepet transportit me shina, pasi për tre objekte ndërtimi jep në momentin e fundit, kur i erdhi “veza”, vetëm 11 281 027 lekë gjithsej (81 mijë euro), sa për një apartament 2+1, pa llogaritur zbritjet për konkurrencë në prokurime, që mund të çojnë totalin në 65-70 mijë euro!
THANAS MUSTAQI
DURRËS, 3 nëntor 2014 –Në cakun e fundit të mbylljes së buxhetit Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës rishpërndan thërrime investimesh me emra të mëdhenj: ndërtim apo rikonstruksion objektesh ndërtimore të hekurudhës shqiptare.
Kështu Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto “lan gojën” me gjoja përparësinë që i jepet transportit me shina, pasi për tre objekte ndërtimi jep në momentin e fundit, kur i erdhi “veza”, vetëm 11 281 027 lekë gjithsej (81 mijë euro), sa për një apartament 2+1, pa llogaritur zbritjet për konkurrencë në prokurime, që mund të çojnë totalin në 65-70 mijë euro!
Në Durrës, në selinë e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të ndërmarrjes shtetërore Hekurudha shqiptare sha (HSH sha) do të zhvillohen me shpejtësi tre tenderë, me diferencë një orë nga njëri tjetri.
Më 24 tetor 2014, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka dërguar një shkresë në HSH sha për rishpërndarje fondesh.
Tirana ka dhënë “sihariqin” për 4 438 674 lekë (32 mijë euro) për ndërtimin e repartit të riparimit të vagonëve, që duhet realizuar brenda “45 ditëve kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës, kufizuar me mbylljen e buxhetit”.
Po më qesharak është fondi për rikonstruksionin e stacionit hekurudhor të Vidhasit në Elbasan: 2 653 276 lekë (19 mijë euro), që duhet realizuar brenda “45 ditëve kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës, kufizuar me mbylljen e buxhetit”.
Kurse për rikonstruksionin e stacionit hekurudhor ndërkombëtar të Bajzës (Malësi e Madhe), kufi me Malin e Zi, fondi limit është 4 189 077 (30 mijë euro) leke që duhet realizuar, në 5 ditë më pak, brenda “40 ditëve kalendarike nga data e nënshkrimit të kontratës, kufizuar me mbylljen e buxhetit”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





