DURRËS, 3 Nëntor 2014–  Reçipetat festojnë 100 vjetorin e lindjes së tyre. Kjo veshje intime është më se e rëndësishme dhe e domosdoshme  për të gjitha gratë. Ato  luajnë një rol themelor në paraqitjen e hireve femërore; thënë ndryshe, A-ja e garderobës. Ato shërbejnë për të vizualizuar një dekolte të hapur,  një fustan, një këmishë, një bluzë e gjithçka tjetër.

Në fazën e krijimit të tyre, reçipetat konsideroheshin si limitim i vuajtjeve për gratë, pa qenë e nevojshme të sakrifikonin bukurinë  e tyre.  Këtë e bëri të mundur trashëgimtarja e pasur njujorkeze, Mary Phelps Jacobs, nëntëmbëdhjetë vjeçarja, aktivistja e paqes, e cila arriti të realizojë  “Blackless Brassiere”, modeli i parë i reçipetave në histori.

Kjo qe një shpikje që revolucionarizoi  mënyrën e veshjes së grave, të detyruara deri asokohe të vuanin nga forma aspak komode, të padurueshme dhe të dhimshme shtrëngimi:  si korsetë,bustet e metalit, fashot e ngushta apo dërrasat e balenës. Me një demonstrim praktik, të filmuar nga mediet e kohës, Phelps tregoi veshjen e re intime të krijuar nga dy shami të zakonshme të bashkuara me shirita sateni rozë.

Edhe pse e pasur tashmë, vajza e re gjeti një minierë ari në duart e saj, e cila u refuzua dhe u pa me përçmim nga kompania Warner Brothers  Corse në Connecticut. Kjo e fundit kishte fituar të drejtën për të prodhuar një reçipet për një shumë të barabartë me 1500 $. Asgjë në krahasim me shifrat 6-zeroshe që do të fitoheshin në dekadat në vijim. 

Gjithsesi s’duhet mohuar fakti se pikësëpari fjala “reçipet” (gjimbajtëse), u has në revistën prestigjoze  “Vogue” në vitin 1907. Përsa i përket origjinës së vërtetë të këtij indumenti intim, disa syresh ia atribuojnë këtë shpikje një francezeje, bustieres së modës pariziene Madame Herminie CADOLLE . Në “Ekspozitën Universale të Parisit” në vitin 1889, ajo paraqiti një korse gjysmë të prerë, të quajtur  “soutien-gorge", pra "korse për gjoksin”. Faktet konstatojnë, se gratë ndër shekuj kanë bërë çmos të shfaqen sa më të bukura e sensuale, dhe padyshim sfida vazhdon.

/g.b. agjencia  e lajmeve “Dyrrah”/