DURRËS, 2 nëntor 2014 –  Lorik Cana është shëndoshë e mirë. Informacioni i shpërndarë kryesisht në rrjetet sociale për përfshirjen e kapitenit të kombëtares në një aksident automobilistik është krejtësisht i pavërtetë, madje është vetë Cana që hodhi poshtë këto raportime, që në mënyrë të pashmangshme kanë sjellë shqetësime te familjarët e mbrojtësit të Lazios: “Lajmi nuk është i vërtetë. Më ka ardhur keq për familjarët dhe shokët e mi. Ishte një lajm i rëndë. Njerëzit të shqetësuar më kanë marrë në telefon, janë bërë edhe nervozë. Si ka mundësi që një lajm i tillë i pakonfirmuar merret nga mediat pa e verifikuar. Njerëzit të mos i kalojnë informatat pa qenë një lajm zyrtar. Në emrin tim personal nuk kam asnjë faqe që e menaxhoj unë”. Duke iu kthyer ngjarjeve të stadiumit të Beogradit, Cana theksoi se futbollistët e kombëtares presin lajme të mira nga Apeli, por në të njëjtën kohë janë të angazhuar për të ruajtur formën sportive për të qenë gati për sfidat e radhës të eliminatoreve të Europianit .“Shpresojmë që të mbajmë formën e mirë presim ndonjë lajm të mirë nga Apeli. Të vazhdojmë të punojmë. Faktin që luajmë me kombëtaren në bën krenarë, ne duhet të vazhdojmë rrugën e nisur.”  Edhe tani pas gati tri javësh nga sfida e ndërprerë me Serbinë, Cana është i bindur se Kombëtarja Shiptare nuk bëri asgjë të gabuar. “Skuadra jonë nuk bëri asgjë keq, unë vetë kam qenë i befasuar për dinjitetin që shfaqëm atje. Brenda në dhomat e zhveshjes kemi mbajtur qetësinë. I kemi ndjekur të gjitha procedurat siç duhet. Kemi treguar gjendjen tonë të vërtetë. Që pas asaj ditë nuk kam luajtur me Lazion. Federata Serbe ka bërë dizinformata, që kanë ndikuar në vendimin e UEFA-s. Duke parë ndeshjen Itali-Serbi dhe të mos na e japësh neve, sepse s’ishim në gjendje të luanim kjo më bën të ndjehem keq. Askush nuk na ka kërkuar të kthehemi në ndeshje. Thjesht na kanë pyetur nëse jemi në gjendje të luajmë. Ne nuk në atë gjendje psikologjike që ishim”. Por a është Cana gati për ndeshjen e radhës? “Kam pak ditë që stërvitem me ekipin. Nuk isha në gjendje të mirë për shkak të gjurit që pas ndeshjes me Serbinë. Jemi pretedentë për një vend në Europë. Po i përmbushim edhe pritshmëritë e tifozëve”.