·        Deputeti korçar i Durrësit z. Eduard Halimi: “Qytetarët që u prekën nga aksioni i INUK-ut të informojnë për shkeljet e konstatuara Partinë Demokratike, e cila do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore”.

DURRËS, 1 nëntor 2014 –  Në orën 17:18, të shtunën, më 1 nëntor 2014, “reporteri” Edi Rama ka dërguar lajmin e tretë, lidhur me aksionin e INUK-ut:

“Çlirimi i rrugës kryesore të plazhit në Durrës ka çliruar një potencial të madh ripërtëritjeje urbane e mjedisore! Tani projekti i investimit”.

DEPUTETI I DURRËSIT HALIMI KUNDËR

Më 31 tetor 2014, një ditë pasi INUK-u filloi operacionin në Durrës PD-ja e Durrësit ka dalë në mbrojtje të pronarëve, objektet e të cilëve janë shembur.

Deputeti korçar i qarkut të Durrësit z. Eduard Halimi, gjatë vizitës në plazh, i shoqëruar nga kryetari i degës blu, z. Osman Stafa, tha:

“Në Shqipëri është instaluar shteti policor qe sipas tij nuk respekton asnjë lloj procedure. Këtu vetëm shtet ligjor nuk mund të ketë. Në një shtet ligjor normal respektohen procedurat ligjore. Procedurat ligjore janë dërgimi i letrave për njoftimin e pronarëve. Shteti po vepron si harbut, shteti po vepron me arrogancë të plotë, duke zëvendësuar shtetin ligjor me shtet policor. Aq më tepër kur prishen banesat dhe lokalet e këtyre hallexhinjve dhe në krahun tjetër po ndërtohen pallate. Qytetarët që u prekën nga aksioni i INUK-ut të informojnë për shkeljet e konstatuara Partinë Demokratike, e cila do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore”.

Info

Sikurse është bërë e ditur, më 29 tetor 2014 Kryeministri Edi Rama ishte mes realizuesve të veprave urbane në Durrës për të inspektuar nga afër ecurinë e punimeve.

Projekti për rikualifikimin e nënkalimit të zonës së Plepave është një investim që shtrihet në një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorësh.

30 mijë metra katrorë rrënim, mbeturina të gjithfarë llojeve që do të pastrohen.

Një projekt tjetër është projekti për rrugën e plazhit dhe shndërrimin e saj në  një rrugë urbane me elementë të peizazhit dhe ato dekorativë.

Risia që ky projekt sjell për qytetarët është pista prej 7 kilometrash, e parashikuar për lëvizjen me biçikleta.

Kryeministri kërkoi që paralelisht në nisë puna edhe për prishjen dhe pastrimin e të gjithë ngrehinave pa leje, për t’ua lënë vendin ndërtimeve të ligjshme dhe integrimit të tyre në peizazhin e ri urban:

“Me këtë ndërhyrje transformohet rrënjësisht si rrugë. Më pas paralelisht duhet të fillojmë me të gjitha prishjet dhe pastrimet e të gjithë çfarë ka pa leje, plus gjithë këto tabela të sistemohen, pastaj të vazhdojmë me ndërtimet me leje për t’i adoptuar, për t’i rregulluar, për t’i sistemuar dhe të bëhet vërtet një transformim i madh”.

Kryeministri inspektoi nga afër edhe punimet për rikualifikimin e hapësirës prej 11 mijë metër katrorë të Urës së Dajlanit.

Edhe këtu një zonë plot me mbeturina inertesh e papastërti. 

Projekti  do ta rikthejë këtë hapësirë të shfrytëzueshme për qytetarët dhe në të do të mbillen rreth 30 mijë rrënjë pemë dhe shkurre dekorative, si dhe do të vendoset ndriçim.

Një prej projekteve të shumëpritura për qytetarët është edhe ai i rrugës paralel me rrugën e Portit, i cili vjen tashmë si një realitet për qytetarët, falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor.

Ndërsa ndërhyrja në Sheshin “Iliria” parashikon rikualifikim të tij, ndriçim, shtrimin e sheshit, shatërvanë, stola etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Durrës”/