DURRËS, 1 nëntor 2014–  Kthehet në fole grerëzash, çerdhe intrigash dhe minë me sahat SHQUP, selia e re e Partisë Demokratike. Revolta, sa e heshtur, aq edhe publike e deputetëve të Partisë Demokratike ndaj kryetarit Lulzim Basha, ka marrë një rrjedhë të pakthyeshme. Pozita e Lulzim Bashës, delfinit të familjes në krye të SHQUP, po lëkunden për herë të parë. Disa ditë pasi Lulzim Basha dhe Grida Duma, u shfaqën në zyrën e liderit absolut, deputetët kanë kërkuar qe vendime politike të Bashës të hidhen në votim të fshehtë.

Kërkesa është bërë nga deputetja Mesila Doda.

“Ndaj vendimet politike duhet të merren vetëm në një grup parlamentar. Ne deri më sot nuk kemi bërë asnjë votim të brendshëm, as për pozicionet drejtuese të grupit parlamentar. Do të duhet që të sanksionojmë një mënyrë tjetër, mënyrë shumë reflektuese për garën brenda partisë dhe për mënyrën sesi merren vendimet brenda partisë. Duhet të bëhet me votim të fshehtë”, theksoi Doda.

Ajo e kritikoi Bashën, duke u shprehur se vendimet nuk duhet t’i marrë në fshehtësi, por duhet t’i marrë në mënyrë kolegjiale, ku të konsultohet me grupin parlamentar demokrat.

“Nuk mundet që vendimet të merren diku gjetkë, apo të merren nga një grusht personash apo më pak sesa një grusht personash dhe më pas të vihen dhe të anonçohen në një grup parlamentar. Një grup parlamentar ka një numër ekspertësh, të njerëzve që kanë karriera të gjata në parti, shumë herë edhe teknike, kanë një përfaqësi shumë të mirë në lokalitete ku ata bëjnë pjesë”, u shpreh Doda.

Deputetja deklaroi se, që kur Basha është zgjedhur kryetar i PD, nuk është bërë asnjë votim i brendshëm në parti.

Kujtimi i Olldashit

Deputetja demokrate, Mesila Doda, zëri më rebel brenda SHQUP, ka thumbuar Lulzim Bashën, se po merret ende me Sokol Olldashin, me një personazh i cili fatkeqësisht nuk jeton më. Sulmet e Dodës ndaj Bashës, të cilat kanë pasur në thelb të ndjerin Sokol Olldashi, kanë qenë mjaft të shpeshta kohët e fundit. Olldashi për Bashën ka qenë kundërshtari më i fuqishëm i tij në PD.

“Kushto që e mat veten dhe ka inat me një person që nuk jeton më, problemin e ka me veten. Olldashi e thoshte shprehimisht dhe e përmendte, tregonte rastin e gjyshit të tij, të cilin e fali Enveri, por ai i çonte sërish letër dhe i tregoi se ku po gabonte. Këtë herë Enveri nuk e fali. Është një ngjarje shumë e madhe, tragjedi. Kështu ishte edhe Olldashi, e çonte deri në fund një gjë që e niste. Pas pak ditësh ka edhe përvjetorin”, u shpreh Doda.

Deputetja Mesila Doda, i bën të qartë Bashës se, nëse Olldashi do të ishte sot gjallë, ai do të ishte një ndër liderët kryesorë të partisë. Ajo vuri në dukje virtytet e Olldashit, se ai ishte një politikan që inspironte të rinjtë. “Duke bërë një bilanc, të asaj çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq, unë mendoj se Olldashi ishte një nga njerëzit që inspironte të rinj, se nëse do ta nisin si ai, do të mbërrin një ditë që të ishin një ndër liderët e partisë. Atë mendoj që është e sigurt, është se opozita do të kishte një prerje shumë më të sigurt me zërin e tij”, theksoi Doda.

/marrë nga Gazeta “Sot”/