DURRËS, 1 nëntor 2014 – Para disa ditësh u organizua në Tiranë tryeza e rrumbullakët [në të vërtetë ishte katrore!] nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike me temë “Edukimi i brezave nëpërmjet trashëgimisë kulturore jomateriale”, ku morën pjesë të gjithë aktorët e përfshirë në mbrojtjen, promovimin dhe edukimin me trashëgiminë jomateriale, si dhe znj. Mirelë Kumabro, Ministre e Kulturës; z. Nikolai Bukov, ekspert nga UNESCO etj.
Gjatë diskutimeve u vërejt se trashëgimia kulturore jomateriale ndeshet me një sërë problemesh ku ndër më kryesoret janë: lënia në harresë e instrumenteve popullore; tjetërsimi i muzikës popullore dhe kostumeve tradicionale shqiptare; zhdukja e zejeve të ndryshme; riteve dhe zakoneve; niveli në rënie i informimit të të rinjve lidhur me trashëgiminë kulturore jomateriale etj.
Administratorja e trashëgimisë jomateriale dhe edukimit znj. Antigoni Gjergji nga drejtoria rajonale e kulturës kombëtare Durrës bëri një prezantim të punës së deritanishme në këtë sektor.
Rezultatet e kësaj tryeze do të përmblidhen në një raport përfundimtar, në bazë të të cilit do të krijohet një material informues dhe orientues për specialistët e trashëgimisë jomateriale në të gjithë vendin.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





