DURRËS, 31 tetor 2014– Shoqërueset e nuses kanë një detyrë tepër të rëndësishme në dasmë. Ato duhet të ofrojnë mbështetje, dashuri dhe miqësi gjatë gjithë kohëzgjatjes së ceremonisë martesore dhe parapërgatitjeve të saj. Ato janë mikeshat më të veçanta, dhe gjithmonë të gatshme për të ndihmuar. Shumica e shoqërueseve zbukurojnë dhe pasurojnë martesën që nga ceremonia deri në festën e madhe.
Figura e shoqërueses së nderit i ka rrënjët në Egjiptin e lashtë. Në atë kohë, besohej se shpirtrat e këqinj nuk e simpatizonin nusen, ndaj që ajo të mos identifikohej prej tyre, dhe vajza të tjera visheshin në mënyrë të ngjashme me të (nusen e re). Kështu shpirtrat e këqinj hutoheshin dhe gjithçka shkonte më së miri.
E njëjta traditë përdorej dhe në Romën e lashtë. Ky zakon u rrënjos gjithashtu dhe në kulturën anglo-saksone, ku shoqërueset njihen me emërtimin (bridesmaids – shoqërueset e nuses).
Në Amerikë, 5 ose 6 bridesmaids (me kavalierët e tyre), presin nusen në hyrje të kishës për përcjellë atë deri në altar dhe më pas janë të pranishme për të gjithë ditën. Numri i zonjushave të nderit sipas traditës duhet të jetë tek. Ndërkaq, përzgjedhja e tyre fillon tek motrat, kushërirat, shoqet e ngushta, mbesa; ama gjithnjë janë të afërta me nusen. Një vëmendje të veçantë tregohet dhe për veshjen e shoqërueseve që ngjason me atë nuses, por ndryshon ngjyra e buqetave të vogla të luleve apo detaje të tjera. Gjithsesi, ngjyra dhe stili mbeten të ngjashme dhe në të njëjtën linjë.
Shpesh, zonjusha ose shoqëruesja e nderit nuk është e rritur, por fëmijë (mbesa, vajza, kushërira etj). Në kuadër të mirësjelljes dhe të traditës, nusja duhet që të kontribuojë në zgjedhjen dhe blerjen e fustaneve të bridesmaids. Nëse i referohemi traditës, ngjyra e fustaneve të shoqërueseve duhet të jetë e çelët dhe plot dritë. Pra, të qenit zonjushë nderi në një martesë është përvojë e paharrueshme, pasi do të shoqërosh një nga njerëzit më të dashur në ditën më të bukur të jetës. Detyra kryesore e një shoqërueseje është të qëndrojë çdo moment pranë nuses për ta ndihmuar, mbështetur dhe garantuar suksesin në ditën e saj të madhe. Privilegj dhe përgjegjësi njëkohësisht !
Në Mesjetë, titulli shoqëruese nderi nënkuptonte arritjen e nivelit më të lartë si shoqëruese e Mbretëreshës.
Misioni fillon, kur nusja shkon të zgjedhë fustanin e dasmës, detyrë absolutisht e ndaluar për burrat, dhe në veçanti, për bashkëshortin e ardhshëm. Kjo është mundësia më e madhe për të përmbushur kërkesat e nuses, e cila mund të jetë motra jote, bija, kushërira, mikesha e zemrës, kunata, mbesa etj.
Jo të gjitha femrat kanë fatin të bëhen shoqëruese nderi në jetë, ndaj nëse ju ndodh t’ju zgjedhë ndonjëra nga mikeshat e zemrës, shijojeni në maksimum këtë moment, sepse lumturia është një emocion që përcillet dhe shumëfishohet. Qofshin të vogla apo të rritura, shoqërueset e nuses luajnë një rol të rëndësishëm dhe janë personazhe që ndiqen me admirim përgjatë gjithë ceremonisë martesore.
/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





