DURRËS, 31 tetor 2014– Ditën e djeshme, më datë 30.10.2014 në Bibliotekën Publike Durrës u realizua takimi miqësor me z. Sokol Demaku: shkrimtari, mësuesi, kryeredaktori i revistës “Dituria” dhe anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Suedi: "Papa Klementi XI Albani".Ky takim u organizua në kuadrin e bashkëpunimeve kulturore të Bibliotekës Publike me këtë shoqatë, si dhe Bibliotekën e Borasit, Suedi.Miku nga Suedia u prit nga drejtuesja e institucionit znj. Mirela Ylli dhe stafi i kësaj biblioteke.Z. Sokol Demaku i dhuroi B. Publike dhe disa tituj të rinj librash: “Kujtime nga diaspora IV”, “Gjueti diamantësh” etj. Ky i fundit është shqipërim nga suedishtja  i zotit Demaku. Dhurimi pararendës i autorit është një përrallë suedeze nga Lars Westman, shqipëruar po nga Sokol Demaku, – u shpreh për Portalin "Dyrrah" zonja Teuta Dhima, nëpunëse e bibliotekës së Durrësit.

Prej vitesh, Bibliotekës Publike Durrës merr dhuratë revistën mujore "Dituria", revistë për fëmijë, të rinj dhe prindër; kulturore, letrare, artistike shoqërore e argëtuese e botuar nga QKSH "Migjeni" Boras dhe  shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Suedi "Papa Klementi XI Albani".

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/