DURRËS, 31 tetor 2014–  E kush nuk e mban mend Fadil Kujovskën në personazhin e Cukut tek “Dy herë Mat”?!  Aktori i dashur dhe i mirënjohur për publikun shqiptar ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai lindi më 14 shkurt 1951 në Tiranë, kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve. Ka punuar në Teatrin Kombëtar, Teatrin e Gjirokastrës si dhe në Televizionin Shqiptar. Nga eksperiencat e tij në teatër e kinematografi veçojmë: “Pak fresk sonte”, “Borxhliu”, “Shkëlqimi i përkohshëm”, “Nata   e dymbëdhjetë”, “Tela për violinë”, “Kolonel Bunker”, “Parrullat “ etj.

Fadil Kujovska spikati për origjinalitetin dhe natyrën spontane, trillin dhe fantazinë e tij; me një plastikë tejet shprehëse dhe aftësi të panumërta komike. Ai diti të mishëronte përsosmërisht të gjitha karakteret që interpretoi.

 Roli i fundit i tij ishte në dramën “Henri VI”. Kujovska u largua nga jeta duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme në kinematografi e teatër. Figura e tij, tashmë është skalitur përgjithmonë në memorien e publikut, kurse ndarja nga jeta përbën një humbje të çmuar për artin shqiptar.

/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/