DURRËS, 31 tetor 2014– Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Shëndetësisë së qytetit kanë organizuar në sallën e këshillit bashkiak një takim me temë “Së bashku të fitojmë betejën me kancerin e gjirit” në kuadër të fushatës sensibilizuese “Të parandalojmë dhe të jetojmë”, ku merrnin pjesë drejtoresha e shërbimit social të Bashkisë së Durrësit Meme Xhaferraj, drejtori i drejtorisë rajonale shëndetësore Kristaq Huta, deputetja Klodiana Spahiu, përfaqësues të prefekturës, këshillit të qarkut, aktorë të kësaj fushate sensibilizuese etj. Ky takim kishte për qëllim, jo vetëm të falënderonte bashkëpunëtorët e kësaj fushate, por edhe të sensibilizonte të gjithë politikëbërësit lokalë të pushtetit vendor dhe të institucioneve te ndryshme për permiresimin e politikave ne lidhje me përmirësimin e shëndetit të gruas.
Muaji Tetor, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin për këtë sëmundje. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës . Gjithashtu, edhe pasojat e dhunës në familje dhe pabarazia gjinore ndikojnë mbi shëndetin e gruas dhe fëmijës. Parandalimi është rruga më e sigurtë për një jetë të gjatë e të shëndetshme.
Në vëmendjen e Bashkisë së Durrësit kanë qenë plotësimi i nevojave të çdo individi, veçanërisht i grave, fëmijëve,duke ofruar shërbime, që ndikojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Janë bërë pjesë e buxheteve të Bashkisë ofrimi i vizitave falas për gra të zonave periferike të qytetit. Bashkia ka qenë bashkëpunuese me punonjësit e shëndetësisë duke i formalizuar bashkëpunimet, në lidhje me kujdesin e shëndetit për gruan dhe fëmijën. Vëmendja dhe qasja e Bashkisë ka qenë ofrimi dhe zgjerimi i shërbimeve për gratë dhe fëmijët duke i bërë pjesë në buxhet në lidhje me kujdesin ndaj grave dhe fëmijëve.
Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës, në zbatim të fushatës sensibilizuese të MSH- “Të parandalojmë dhe të jetojmë”, që në ditët e para të muajit tetor nisi fushatën sensibilizuese të përqendruar në komunitetet e zonave periferike- Kënetë, Spitallë, Porto Romano, Nish Tulla dhe në zonat rurale si Maminas ,Sukth etj. Ajo po bashkëpunon me të 18 Drejtorët e QSH të rrethit për të sensibilizuar sa më shumë gra e vajza mbi rëndësinë e depistimit sa më të hershëm të kancerit të gjirit, sëmundje me të cilën janë aktualisht të prekur 222 gra në rrethin e Durrësit. Këtë fushatë sensibilizuese e kanë mbështetur fuqishëm Bashkia Durrës, Prefektura, Deputetët e Qarkut Durrës, DAR, Institucionet e tjera shtetërore, përfaqësues të OJF –ve, biznese të ndryshme etj.
Ky aktivitet dhe njëkohësisht muaji i sensibilizimit u përmbyll me një marshim në bulevardin kryesor, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të qytetit Durrës të organizuar me mbështetjen e DAR Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





