Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 31 tetor 2014– Vizita zyrtare e Ministres së Mbrojtjes zonjës Kodheli në SHBA u shoqërua me një propagandë të sforcuar, që të kujton kohën e shkuar. Në mediat qeveritare ose të pavarura pro qeveritare, u pasqyrua me bujë e zulmë lajmi se kjo vizitë ishte e para pas 10 vitesh e një ministri mbrojtjeje të Shqipërisë në SHBA. Në të gjitha këto medie, mënyra dhe përmbajtja e lajmit ishte thuajse identike, gjë që të shtyn të mendosh se një Miti Tona i shekullit të XXI ua kishte çuar lajmin të gatshëm redaksive përkatëse. Noftimi ishte jo vetëm i gënjeshtërt, por edhe tip tullumbace suksesesh, me qëllim që të mbulohen dështimet. Ishte thjesht i pashijshëm, tamam si supë spitali.
Është gënjeshtër e qepur me pe të bardhë lajmi se vizita e ministres Kodheli është e para pas 10 vitesh. Jo, cinovnikët e “Drejtorisë së Shtypit” pranë K.Q. e dinë fare mirë se në prill të vitit 2006 ish-ministri i mbrojtjes Mediu ka bërë vizitë zyrtare në SHBA, me një axhendë më të ngjeshur sesa ministrja aktuale Kodheli, me një pritje më formale dhe dinjitoze sesa kjo, që ju rezervua ministres në fjalë. Jemi në epokën para-Gërdec, kur ministri Mediu ishte ende kana-kari i Ambasadores amerikane Marsi Ris, apo i ambasadorit Uidhërs. Pas Gërdecit natyrisht që gjërat ndërruan për keq.
Protokolli i pritjes së Ministres Kodheli, ishte normal por jo i jashtëakonshëm (exceptional) si ai i të ndjerit Zhulali 18 vjet më parë. Në vitin 1996 marrëdhëniet e ish-presidentit Berisha me amerikanët kishin marrë rrokopujën, por z. Zhulali ministër i Berishës pritej në Uashington me ceremoni madhështore e me protokoll jashtëzakonisht të pasur. Ky ishte një veprim i qëllimshëm i administratës së Presidentit Klinton për t’i dhënë një mësim diplomatik Berishës së kohës. Uilliam Koeni Sekretari i atëhershëm i mbrojtjes i SHBA-së ishte një nga anëtarët më inteligjentë dhe vizionarë të komunitetit izraelito-amerikan. Pikërisht Sekretari Koen ftoi zyrtarisht në SHBA ministrin Zhulali, në një moment acarimi të amerikanëve me Berishën. Ndryshe nga Kodheli Zhulali u prit me roje nderi të veshur si “Minutemen” me redingota, kapele tre cepashe e paruke, të armatosur me karabinat e gjata “ Brown Bess”. Madje u përshëndet me19 të shtëna topi 105 mm, që normalisht përdoret për krerët e shteteve dhe të qeverive të huaja, që vizitojnë SHBA. Zhulali minister u prit me protokoll si thuajse nje kre shteti. Ky veprim nga ana e amerikanëve nuk ishte një “faux pas”, por një hap i qëllimshëm për t’i bërë presion diplomatik Berishës.
Ndërsa propaganda qeveritare mburret me rrena e të vërteta bashkë për këtë vizitë zyrtare normale të ministres Kodheli, mileti poshtë në bazë ka aq mend në kokë sa të bëjë krahasimin me vizitën e paradokohshme të Kryeministtrit Rama në SHBA. Në këtë vizitë z. Rama mbajti vec një leksion në një institucion arsimor amerikan, leksion ky që u lobua nga një grek etnik, batakci dhe i shpallur hajdut me vendim gjykate në vendin e vet, për më tepër një ish-spiun i demaskuar publikisht i STAZI-t gjermano-lindor. O zot sa poshtë ka rënë Kartagjena do të thoshte për këtë rast senatori romak Cato I vjetër i frazës së famshme “Delenda est carthago”. Kryeministri Rama, të cilit një vit më parë i përgjërohej me letra e telefonata vetë Sekretari amerikan i shtetit, tashmë ka nevojë për sekserllëqe të një legeni të STAZI-t apo të ndonjë kaurr evgjiti andej nga fshatrat e Delvinës.
Pikërisht prandaj nëpunësi më i lartë amerikan, që arriti t’i shtrëngojë dorën z. Rama gjatë vizitës së tij në SHBA, ishte një rreshter i policisë së emigracionit me origjinë nga Pogradeci, që shërbente në aeroportin, ku u ul avioni, me të cilin udhëtonte z. Rama.
Kryeministri Rama.përveç dreka e darkave në qebaptore, piceri, kreperi, e restorante prona të shqiptaro-amerikanëve nuk arrit të kontaktojë, qoftë edhe privatisht me asnjë nëpunës amerikan madje edhe të rangut më të ulët si fjala vjen “desk officer-in”, që mbulon Shqipërinë në Departamentin e Shtetit. Gazetari i mirënjohur Robert Papa e takon sa herë të dojë këtë desk officer,i fut edhe një “Star Buck Coffee” e bën një orë llogje (chatting) mjafton t’i telefonojë një ditë para. Bert Papa, që aktualisht është askushi e takon desk officer-in, ndërsa Edi Rama, që është gjithkushi (në varësi të gjendjes shëndetësore aktuale të Ilir Metës) nuk e takon dot këtë nëpunës , që është brima e parafundit e kavallit në Departamentin e Shtetit.
A nuk është turp për Doktor Gebelsat e propagandës zyrtre, që të mburren paturpësisht me vizitën e Mimit në Pentagon, pas fiaskos kryeministrore në Uashington?! Me që jemi ëktu theksojmë se mburrje të tilla na kujtojnë fjalimet e Ramiz Alisë në Kongresin e Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, ku Ramizi pasi ja hodhi fajin thatësirës për mos realizimin e planit të prodhimit të grurit, u mburr se kishte tejkaluar rëndshëm planin e prodhimit të misrti, përfshirë edhe atë hamullor. Ndonëse “kalliri i grurit” të Ramës në Amerikë nuk kishte asnjë kokër, agjit-propi mburret se “misri” i Mimit e ka bërë naaaa… kallirin sa shpata e Skënderbeut!
Në v itin e largët 1996, amerikanët u çanë duke bërë stërvitje me ushtarët e të ndjerit Zhulali, jo Uji Kristal, jo Shqiponja Paqësore etj. etj. Megjithë pritjen me “Minutemen” e me topa, që amerikanët i bënë Zhulalit, megjithë stërvitjet e përbashkëta ushtarake shqiptaro-amerikane, erdhi hataja e vitit 1997 d.m.th. amerikanët as e kishin harrua as ia kishin falur Berishës “hesapin” e mbetur hapur.
Dashtë zoti pas vizitës së suksesshme të ministres Kodheli në SHBA, amerikanët ia falin Kryeministrit Rama, prockën me armët kimike, lodrat me naftën iraniane me dokumenta false turke apo flirtimet me ministrin rus Shojgun!
P.S. Lobimi i suksesshëm i humanistit të madh, politikanit të shkathët dhe njeriut të mirë Shahin Gobadi për të bindur Shqipërinë nëpërmjet senatorit John McCain të pranojë 300-400 muxhahedinë irakenë nuk do mjaftojë për të shkrirë akujt e marëdhënieve Rama-Amerikë!





