Nga Frederik Stamati

DURRËS, 31 tetor 2014 –  Viti 1983 i dhuroi Apollonisë një pasuri të rrallë arke ologjike: në tumat e fshatit Kryegjat, arkeologu Vangjel Dimo zbuloi një varr që ngriti mendjen e të gjithë specialistëve të fushës. Në varr ndodhej një mburojë prej bronzi, e mbi të skeleti i shtrirë anash i të zotit të saj. Objekte të tjera, të rralla për nga forma dhe dekoracionet interesante gjende-shin përgjatë mbeturinave kockore të trupit të dikurshëm: një përkrenare e pa parë, po prej bronzi, një shpatë hekuri së bashku me gjurmët e këllëfit të zhdukur, katër enë prodhim vendas në qeramikë, sandale prej metali, thika, kruajtëse, etj., etj., dhe gozhdat me të cilat ishin mbërthyer fort dërrasat e qivurit të madh. Thuajse të gjithë arkeologët e antikitetit shkuan nga dita në ditë për të parë zbulimin e rrallë. Kuriozitetin më të lartë e krijonte mburoja, forma e shkatërruar e së cilës lindte diskutime jo pa hamendësi. 

Unë shkova kur mburoja ishte nxjerrë nga toka, ishte transportuar dhe mbahej në ruajtje të sigurtë në magazinat e muzeumit. Ah, e sigurtë! Një pjesë e saj, rreth një e treta, në mos më shumë, ishte shembur së bashku me dheun nën të, duke u kthyer në thërrmija të vërteta! Por për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe pjesa tjetër e saj, ajo që kishte shpëtuar nga shembja nuk ishte më mirë: vetëm një mori thërrmijash dhe diku më shumë, por të organizuara në një rrafsh, ku nuk merrej vesh thuajse asgjë. Tetëmijë e njëqind e pesëdhjetë e tri copa! 

Vëzhgoja gjithçka në stereomikroskop. Mundohesha të kapja edhe shenjën më të vogël që do të orientonte lidhjet. Pashë të gjithë relievet me mburoja dhe të gjitha statujat luftarake në muzeumet e Shqipërisë për të kuptuar të kaluarën e panjohur nga ne. Sot, kur e shikon të restauruar, është e lehtë të flasësh, por nuk duhet harruar se ajo ka njëzet vjet punë dërmuese të trupëzuar në vetvete. 

Thanë që ta restauronin diku jashtë, si për më mirë, por askush nuk e mori përsipër. I mbeti laboratorit tonë. Përpunova dhe eksperimentova 760 rrugë dhe nga ato përzgjodha atë që do ta çonte punën deri në fund, duke dhënë garanci absolute. 

Fotot dhe skicat që shoqërojnë botimin do të na ndihmojnë në shtjellimin e temës. E shoh të domosdoshme edhe paraqitjen në skicë të prerjes tërthore. Është në shtatë nivele: 1-Meduza, prej bronzi, 2-fleta metalike e sipërme, po prej bronzi, 3-material i zi lidhës dhe mbushës, 4-dru, 5-përsëri material lidhës, 6-lëkurë, 7-elementë bronzi, që shërbenin për ta mbajtur si dhe gjatë ecjes. Diametri: 72 cm. Trashësia në qendër rreth 2,5 cm, anash rreth 4 mm. Lartësia e kurbaturës nga plani 11-13 cm. 

Gjëja e parë dhe mbi të gjitha ishte përfytyrimi i saj në lashtësi. Këtu nuk po i jepnim "kon". U konsultova disa herë në Gjermani, në Hungari dhe në Greqi. Vetvetiu që literatura e pasur… 

Bronzi kishte përbërjen të tillë në bakër dhe kallaj që lejonte goditje të forta me çekiç pa dëmtuar fletën metalike. Tjetër ishte përbërja e elementëve konstruktivë, pjesë të sistemit të mbajtjes dhe tjetër përbërja e gozhdave. Sikur të ishin sot! 
Materiali i zi lidhës dhe mbushës u analizua në Institutin Mbretëror të Pasurive Artistike Kombëtare në Bruksel, institut me famë botërore dhe rezultoi të ishte një masë bituminoze me vaj gjysmë të thatë, ku ishte shtuar edhe rrëshirë pishe. 
Po në këtë institut u kontrollua në se ka qenë e lyer me ndonjë bojë lëkura dhe rezultoi që jo. Veçse në ka qenë e ngjyer me të kuqen e purpurit! Ajo kur shpërbëhet nuk lë asgjë për ta identifikuar. Kështu na mbetet që të pranojmë faktin. Lëkura e përdorur ka qenë lëkurë nga bagëtitë e trasha dhe pikërisht lëkurë kau. 

Në Universitete Paris-Sud, në Laboratorin e hidrologjisë izotopike dhe në Laboratorin e datimeve me karbon 14 në Saklei si dhe në Institutin e fizikës bërthamore në Tiranë u përcaktua mosha. Po, është e periudhës së Aleksandrit të Madh! 
Dhe këtu na u ngrit mendja! 

Mburoja është e tipit maqedonas. Të gjithë ata që mendojnë se është ilire, gabohen. Gabohen, sepse forma dhe ndërtimi janë krejtësisht të mburojës maqedonase të shekullit të katërt para Krishtit. Vërtet që rrathët koncentrikë i gjejmë edhe në monedha ilire, por ky huazim nuk është pasaportë për të kaluar kufijtë e kulturave. Në mes të mburojës është koka e Meduzës. Mitologjia e shpjegon në një formë shumë tërheqëse. Perseu, mbasi ia preu kokën, e futi në një thes dhe i a dhuroi Athinasë, e cila e vendosi në qendër të mburojës së saj. Dhe kudo që ta shohësh Athinanë me mburojë, gjithmonë do të dallosh kokën e Meduzës në qendër të mburojës. Me sa duket Athinaja e bëri këtë meqë koka e Meduzës kishte vetinë që të kthente në gur çdo njeri që do ta shikonte. Aleksandri i Madh ishte shumë i dhënë mbas këtij miti dhe dha urdhër që të gjitha mburojat në ushtrinë e tij, të kishin në qendër të tyre kokën e Meduzës. 
E me që jemi te Medusa, po merremi pak edhe me Meduzën e mburojës tonë. Ajo është realizuar në një fletë metalike dhe kapej me pesë gozhda në bazamentin nën të. Motivet janë punuar me dalta tepër të holla dhe të vogla, 2 mm të trasha. Ja, këto dalta i kanë kaluar nëpër vraga për të krijuar flokët në formë gjarpërinjsh, vetullat, etj. Si nuk kanë përtuar?! Gjuha ka qenë e ngjitur me kallaj. Sytë e bardhë janë prej guri gëlqeror në formën e cilindrave të hollë, që ngjiteshin me kushedi se çfarë në pjesën metalike. Zakonisht përdornin dyllra bimorë. Edhe Meduza erdhi copë në laborator, por në foto është mbas përfundimit të punimeve. 

Fleta e sipërme e mburojës është një e vetme dhe e shtrirë me rrahje. Mirëpo një studim në laboratorët e "Strukturës së materies" në Fakultetin e Shkencave Natyrore na detyron të biem në mendime. Në qendër ka një brimë. Aty ajo ka pas qenë mbërthyer përkohësisht gjatë punës në negativin e formës të saj. Ky negativ duhet të ketë qenë prej materiali jo shumë të fortë. Nga mbrapa është gërvishtur e gjithë skema e zbukurimit. Pastaj zbukurimi është realizuar me rrahje, duke i dhënë profilin e ullukut. Në shtatë vende metali është çarë. U gjetën shtatë arna të ngjitura me kallaj. 

Dekoracioni është nga ata që gjenden rëndom në lashtësi: rrathë koncentrikë dhe thëmtha. Për organizimin e dekoracionit kanë pas përdorur koeficientin tre. Ashtu punonin në lashtësi, me koeficientë të një numri të përzgjedhur. Po ta shikoni me kujdes do të vëreni se gjithçka është tre, ose shumëfishi. Tre rrathë koncentrikë, gjashtë grupe gjithsej, tri thëmtha, (thëmthat janë ato si gjysmë sfera), madje edhe hapja këndore në thëmtha dhe në rrathët koncentrikë është 120 gradë. 

Pra, dekoracionet janë në reliev. Kjo do të thotë që mburoja nuk është luftarake. Ato luftaraket nuk janë me reliev, sepse do t'u jenin më shumë mundësi shigjetave. Luftaraket ishin të lëmuara, në mënyrë që të rrëshqisnin shigjetat. Dekoracionet i pikturonin me bojë të kuqe. Dhe vërtet kërkuam, por nuk gjetëm asnjë shenjë ku mund të ishte ngulur ndonjë shigjetë. 

Rezulton që mburoja të jetë ceremoniale. Ai që e ka pasur këtë mburojë ka qenë një njeri i rëndësishëm në Apolloni! Dhe kjo na e fut më tepër mendjen në labirintet e kuriozitetit. Por këtë çështje do ta shtjellojmë në fund. 

Dy kanë qenë format e mburojave maqedonase në atë kohë: me buzë dhe pa buzë. Kjo e jona është pa buzë. Gjatë marshimit, ato me buzë vareshin në sup, këto të tjerat kishin nga mbrapa rripin me lëkurë, ku futej krahu dhe një spango paksa të lëvizshme që kapej në grusht, e tërhiqej për ta tendosur. Spangoja kalonte nëpër tetë udhëzues, katër prej të cilëve në rastin tonë kanë në palmeta tipin e zbukurimeve më të arrira në atë shekull. Njëra u gjet e thyer dhe me mungesa. Nuk u gjet edhe njëri nga të katërt udhëzuesit e tjerë në formë rrethi. Kishte rënë kushedi se kur dhe ishte zëvendësuar me një të një lloji tjetër, por jo të panjohur në ato kohëra. Kuptohet se një mburojë nuk mund ta bënte një njeri i vetëm, sepse duheshin disa mjeshtëri. Ato prodhoheshin në punishte të specializuara dhe kjo është edhe një nga arsyet përse elementë të ndryshëm janë të njësuar. 

Pjesa më e qëndrueshme e mburojës ishte ajo e brendshmja, prej druri, ku montoheshin të gjithë elementët e tjerë përbërës të saj. Nuk e gjetëm, ishte zhdukur gjatë kohës së qëndrimit në tokë. Me këtë pjesë fillonte puna. Në anën e prapme ngjitej lëkura me materialin e zi bituminoz. Pastaj mbërtheheshin me gozhda elementët udhëzues për spangon dhe rripi prej lëkure ku futej krahu. Në qendër ka pasur gjithmonë një kuti prej argjendi, në të cilën futej ndonjë lutje për luftëtarin. Pra, ishte si punë hajmalie. Kjo pjesë nuk është gjetur, veçse në fletën prej metali duken gjurmët e ngjitjes me kallaj të një kutie katrore me brinjë rreth 5 cm. 

Pastaj i vinte radha montimit të fletës së sipërme. Edhe ajo pozicionohej me ndihmën e masës bituminoze, që luante edhe rolin e mbushësit për ulluqet e dekoracioneve, që ata të mos shtypeshin. Kjo fletë mbërthehej anash me 98 gozhda prej bakri, të gjitha të përthyera në të njëjtin drejtim. Së fundmi buza e mburojës qarkohej me një fashetë bronzi në formën e germës U, që e lidhte përfundimisht. 
Tani, mbasi e përshkruam, po themi edhe disa pak fjalë për punën që mori vite të tëra, e që u shtri në periudhën kohore nga 1983, e deri në 2011, por jo pa ndërprerje. Realisht mori pak më tepër se njëzet vjet! 

Restaurimi i saj ishte një shartim i idesë dhe faktit. Edhe e kundërta: fakti drejt idesë. Është e vështirë t'i ndash. Për njëzet vjet ata kryqëzoheshin me njëri-tjetrin në një rrjetë imagjinatash. Idetë qëndrojnë në ajër. Vite të tëra imazhi i saj qëndronte përpara syve, në hapësirë, në një lëvizje të papërcaktuar. Luhatje në mendime dhe imazhe! Dhe këto duhej të thitheshin nga rrëmuja e materialit, ose materiali të gjente vend në ide dhe imazh. Ka qenë e vështirë, tepër e vështirë! Kushedi se sa herë kjo lojë e papërcaktuar u përzje edhe me mjekun e urgjencës nga rritja e tensionit… 

Ndoshta, pa shumë filozofi, mund të themi se me kohë u formua një si forcë centripetale, që bashkoi imagjinatën me faktin. Aty filloi edhe puna konkrete, që zgjati aq shumë. Gjithshka u pastrua nga papastëritë dhe mineralet e korrozionit deri në atë sipërfaqe, ku këto produkte korrozioni formonin atë që quhet patinë fisnike, një shtresë minerale sa më pranë asaj origjinale. Është si të thuash një harmoni midis ruajtjes dhe prishjes, midis asaj që ka mbetur dhe tendencës së transformimit natyror drejt niveleve më të ulëta energjetike. Sot, të gjithë muzeumet e botës e kanë kthyer në postulat këtë ekuilibër të brishtë. Ai nuk mund të mbahet vetë, do ta detyrosh. Do ta detyrosh nëpërmjet të reaksioneve kimike dhe pasivizimit të transformimeve. Nuk është e lehtë, jo vetëm nga rrethanat që krijohen si rrjedhojë e "plakjes" në tokë. Kimikatet që përdoren për këtë punë janë helme dhe njëkohësisht kancerogjenë. Do mendosh jo vetëm për objektin, por edhe për kokën. Të tilla ndërhyrje janë bërë në këtë mburojë. Vitet e kaluara gjatë qëndrimit në laborator dhe fakti që nuk u shfaq asnjë problem qëndrueshmërie vërtetuan se qëllimi ishte arritur. Mirëpo çështja nuk mbyllet me kaq. Do të duhet të mendosh edhe për personelin e muzeumit, që do ta marrë nëpër duar dhe për vizitorët. Edhe këto janë marrë parasysh. Qëndron më ndryshe puna e pasivizimit të disa reaksioneve kimike. 

Transformimet në tokë janë të tilla që krijojnë disa lloje mineralesh të qëndrueshëm në vetvete, por që kthehen në pluhur kur lagështia në mjedis është e lartë. Kësaj pune nuk ka se çfarë t'i bëjë laboratori, ajo krijohet në vitrinë, apo në sallat e muzeut nëpërmjet të ushqyerjes me ajër të kondicionuar, me kondicionerë jo nga ata që përdoren nëpër shtëpi, por profesionalë. Por puna është se muzeumet e Shqipërisë janë të pa pajisur me teknologjinë e përshtatshme, kështu që rreziku i riprishjes mbetet "mbas derës". 

Përfundimi 
Më kujtohet se ka qenë tepër e vështirë, por jo problematike, lëvizja në bllok e fragmenteve deri në thërrime, sa nga një suport në një tjetër, pa ndryshuar asgjë nga pozicioni i gjetjes fillestare, përmbysja, organizimi i të tërës, pozicionimi, impenjimi me lëndë forcuese. 
Mrekulli! E plotë, pa asnjë dëmtim! Që njëzetë e ca vjet më parë ishte parashikuar ky çast kaq delikat! Kishim dëshirë që në vend të drurit të munguar të formonim një strukturë të njëjtë në formë, por që të ishte e tejdukshme, në mënyrë që të jepte një strukturë hapësinore, ku të dallohej qartë ajo çfarë kishte mbetur dhe mënyra se si ishte ndërtuar mburoja. 

U bë edhe integrimi në ngjyrë i masës plastike, e cila e lënë në një nivel paksa më të ulët, dallon realen nga e shtuara. Mbeteshin edhe tri ditë punë, gjithsej edhe tri ditë nga njëzet e ca vjet! Do të përurohej Muzeu i Apollonisë. U thashë të gjithë atyre që merreshin me përgatitjet që të mos e merrnin mburojën: ajo le të ekspozohej më vonë. Një ditë të shtunë e morën fshehurazi dhe e çuan në Apolloni, ku qëndron e ekspozuar si saç televizori në një vitrinë krejtësisht të papërshtatshme dhe jashtë projektit konservues, të llogaritur që në fillim. 

Më kot kërkova nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ta kthente disa ditë në Tiranë mburojën, aq sa për të mbyllur punimet. Ndërsa ministria pyeste ata që nuk kanë punuar kurrë me të, nëse kanë përfunduar apo jo punimet! Sidoqoftë mburoja i bëri nja dy xhiro andej nga Italia dhe Kosova… 
Kam pasur rastin që të prezantoj punën në vazhdim e sipër në aktivitet të ndryshme, sidomos në ato të organizuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Kurioziteti në sallë ka vazhduar me biseda edhe më vonë në "coffee break". E gjithë vëmendja përqendrohej në kapërcimin e problemeve pa fund. E kuptoja se ishte më tepër nga një shkollë. Gjithashtu, ka pasur raste kur këtë mburojë e kanë vizituar në punë e sipër studiues në rang botëror nga shtete të ndryshme të Evropës. Mbas shpjegimit kam dëgjuar pak fjalë: "Puuu! Frederik, kjo është çmenduri!" Ndërsa ndonjë nga kolegët e punës: "E mor, sikur çfarë ke bërë! Shumë e ke zgjatur!" 

Mbajtësi i mburojës 
Mirë, tani le të kthehemi te dy pyetjet më kurioze: kush ka qenë mbajtësi i saj dhe në se mund të lidhet me Aleksandrin e Madh. 
Dihet që Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast edhe apolloniatët. Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit, zor se mund të kundërshtohet. Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elementë kockorë tipikë të Lindjes. Por ka edhe dëshmi të tjera. Fatkeqësisht shumë objekte të këtij varri u vodhën në vitin 1992 dhe sot nuk i "thërrasim" dot në diskutim. (Shpeshherë kam menduar me keqardhje se pse nuk i mora në laborator të gjithë ato objekte që përbënin inventarin e varrit). Do të thoni se nga Lindja mund t'i ketë sjellë dhe tregtia? Po, por është e vështirë të grumbullohen në një varr të gjithë ato lloj armësh që përbënin arsenalin e luftëtarit të asaj kohe dhe që mund të kenë prejardhje nga tokat përtej kufijve të Maqedonisë së atëhershme. Vite më parë, kur ndodhesha për një specializim në Muzeun numizmatik të Athinës, drejtori i atij muzeu, që ishte veçanërisht i interesuar për objektet metalike që u gjetën nga ushtarët dhe zboristët në atë varrin e pasur pranë Bellshit, më tregoi disa botime të ilustruar me foto, ku pashë forma krejtësisht të njëjta me ato të objekteve të Bellshit, që i pata restauruar dikur. Ai më shpjegoi se enët metalike që shihja në foto ishin nga Lindja dhe se Aleksandri i Madh i lejonte ushtarët e tij që të përvetësonin të gjithë plaçkën e gjetur në qytetet e pushtuara dhe kur nuk kishte aq plaçkë për të grabitur, ai u jepte si shpërblim ushtarëve materiale nga thesari i tij. 

Armatimi i gjetur në varrin "e mburojës" është armatimi bazë, por gjithsesi jo i plotë i ushtarit të falangave. Kallçitë për shembull mungojnë. Pse? Nuk e themi dot. Pra, i varrosuri nuk ka qenë hoplit, por falangist. Me falangat e Aleksandrit të Madh duhet të ketë luftuar ai! Fantazinë dhe gjykimin na e shtyn më tej mburoja. Ajo, siç edhe e thamë më lart, është ceremoniale dhe jo luftarake. A mund ta konsiderojmë në mënyrë figurative si gradë, apo shpërblim? Pra, ky ka qenë një njeri i rëndësishëm, ndoshta një prijës që ka komanduar ushtarët apolloniatë. Në mbyllje po themi se ishte edhe i pasur. Veç të tjerave, këtë e dëshmojnë sandalet metalike, që mund t'i mbanin vetëm të pasurit. Lëre pastaj objektet e tjera, aq të rrallë dhe cilësorë! 
Akoma edhe diçka: a u varros thjeshtë dhe pa lënë asnjë shenjë përkujtimore, për shembull një stelë? Këtë nuk e dimë, por në fund të murit të dhomës së vogël anësore të kishës së Apollonisë, pikërisht mbi themel, shihet një bllok i madh prej guri, në të cilin është gdhendur një mburojë e tipit pa buzë, një përkrenare dhe një shpatë. Të tria këto janë prishur më vonë, duke u goditur me daltë. Në muret e kishës dhe të manastirit dallohen dhjetëra gurë me motive të marra në rrënojat e Apollonisë. Guri me mburojën e gdhendur në të, në mos qoftë stela e varrit të "prijësit" tonë, na bën zë që në të ardhmen të zbulohet në Apolloni edhe një e dytë! 
* * * 
Ky është objekti më i vështirë që është restauruar, apo më mirë, konservuar, ndonjëherë në Shqipëri. Një punë e shtrirë në më shumë se njëzet vjet! Më tepër se dhjetë milionë lekë, nëse do të bazoheshim në koston e së sotmes! A ia vlejti e gjitha kjo? Mburojën sot e ka jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota! Po mua, çfarë më mbeti nga i gjithë ky stërmundim? Mua? Asgjë!

/Balkan Web/